Jeta me ujërat e zeza e padurueshme për banorët e lagjes Kalabria - VIDEO

Banorët e rrugës ‘Rexhep Krasniqi’ në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë përballen çdo ditë me erën e pakëndshme që kundërmon nga ujërat e zeza.

Ujërat e zeza derdhen në lumin Mat, i cili kalon nën urën e kësaj rruge që  është bërë e pakalueshme nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë në muajt e kaluar.

Sadik Mehmeti, i cili jeton në lagjen Kalabria që nga vitet e 70-ta ka treguar se fillimisht në atë kohë ura ishte improvizuar me dërrasa për t’ua mundësuar fëmijëve që të shkojnë në shkollë.

“Këtë urë e kemi rregulluar që gati 30 vjet, e kemi mbaru këtu edhe tash është kështu. E tash që është çrregulluar i ka gati qw 3 muaj ose 4, të gjithë verën, po e shihni vetë, unë kam qenë te Shpendi edhe nuk më kanë lejuar me hy hiq, por e kam një letër aty, janë bërë 3 muaj dhe askush nuk më ka dhënë përgjigje edhe askush nuk ka ardhur me shiku”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka rrëfyer që veturat po detyrohen të kthehen prapa për shkak se ura në rrugën ‘Rexhep Krasniqi’ është bërë e pakalueshme.

“Ne jemi këtu 200 ose 300 shtëpi, lagje e madhe këtu, edhe banesat janë bërë dhe askush më nuk ka ardhë me u interesu, leje që nuk po mundemi me kalu me vetura por edhe era, nuk po mundemi me qëndru brenda prej saj”, është shprehur ai.

Edhe Feti Buzoku, një banor tjetër i lagjes ‘Kalabria’ është shprehur se kur temperaturat janë të larta banorët nuk mund të kalojnë nga kjo rrugë për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza.

“Jeta është e vështirë këtu se këtu kalojnë gratë me fëmijë, kah me dalë këtu, nxënësit shkojnë në shkollë për këtë rrugë këtu”, ka theksuar Buzoku.

Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave është duke u angazhuar maksimalisht që të zgjidhen sa më parë problemet e mbetura pronësore dhe të përfundohet ky projekt.

“Jemi duke punuar në ndërtimin e kolektorit në lagjen ‘Kalabria’. I kemi pasur disa probleme pronësore me banorët e zonës, shumica prej të cilave janë zgjidhur, dhe jemi drejt zgjidhjes edhe të rastit të fundit. Çështja e urës, ndërlidhet me këto, për shkak se ajo do të jetë mbi kolektor”, ka deklaruar Tahiri.