Jeta e Vështirë në Haden e Re

Këta të zhvendosur në tokën e ndarë nga Komuna e Obiliqit ankohen për probleme të shumta, të cilat thonë se po ua rrezikojnë edhe jetën.

Sherif Preniqi, banor i Hades së Re, tregon për KALLXO.com se kanalizimi është i bllokuar, e rryma është instaluar nën ujë.

“Infrastruktura është një infrastrukturë e dëmtuar, apo më mirë të thuhet e papërfunduar, duke filluar prej rrugës, rryma e tëra është nëpër ujë, nëpër puseta, kanalizimet diku 80 për qind janë të mbyllura totalisht, uji është i rregullt, infrastruktura e papërfunduar,” shpjegon gjendjen Preniqi.

Por përgjegjësinë për mosmirëmbajtjen e infrastrukturës në Haden e Re nuk po e pranon askush. Faji për këtë gjendje po bartet herë në Komunën e Obiliqit e herë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Burim Gërguri, drejtor i Shërbimeve Publike në Obiliq, thotë se është i vetëdijshëm për problemet, por për gjendjen e krijuar atje e bën fajtore ministrinë.

“Për fat të keq atje nuk kemi infrastrukturë të kompletuar përpos rrugës kryesore dhe ndarjes së parcelave që është bërë. Rrjeti i kanalizimit është jofunksional, po ashtu rrjeti i ujësjellësit është bukur i dobët, furnizimi me energji dhe instalimi që është bërë është jashtë çdo standardi për sa e kam parë unë”, deklaroi Gërguri.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bën me dije se mirëmbajtja e infrastrukturës në Haden e Re do të kalojë në kompetenca të Komunës së Obiliqit.

“Projektet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, elektrikës, infrastrukturës për Haden e Re pritet të kalojnë nën administrimin e Drejtorisë për Shërbime Publike të Komunës së Obiliqit dhe kompanive publike siç janë KRU-Prishtina, KEDS-i, apo tjera, të cilat janë përgjegjëse për faturim si dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, elekrikës,” thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Sherif Preniqi thotë se banorët e Hades së Re janë ankuar në komunë e ministri, por kërkesat nuk janë marrë parasysh nga këto dy institucione.

“Kërkesat tona janë të paraqitura në Kuvendin Komunal të Obiliqit dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor ku sot e kësaj dite për katër kërkesat tona nuk është përgjigjur dhe nuk ka ndërmarrë asgjë dhe nuk është e kthyer me shkrim”, tregon Preniqi.

Zhvendosja e banorëve të fshatit Hade u bë për eksploatim të thëngjillit të këtij lokaliteti nga KEK-u.