Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Jep Mbrojtjen Përmbaruesi Privat i Akuzuar për Keqpërdorim Detyre

I akuzuar se në cilësinë e përmbaruesit privat duke e dëmtuar Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë nxjerr urdhëresë për inkasim dhe transfer, i cili veprim nuk ka qenë i lejueshëm në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme, Ymer Kastrati ka dhënë sot mbrojtjen para trupit gjykues në Gjykatën e Gjakovës.

I pandehuri deklaroi se zyrtarisht nuk e ka pranuar aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, vendim i cili ka shfuqizuar të gjitha vendimet e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

“Jo, zyrtarisht jo, as s’e kam marrë, as s’e kam lexuar kurrë”, tha i akuzuari Ymer Kastrati.

Sipas të akuzuarit, nëse ai do të ishte njoftuar me aktvendimin e Gjykatës Supreme do të ndërpriste procedurën e përmbarimit.

I pyetur nga prokurori i çështjes, Agron Matjani, se a janë të obligueshme vendimet e Gjykatës Supreme, i akuzuari tha ato janë të obligueshme “pasi që është vendim i instancës më të lartë“.

Ai tha se sikur ta kishte parë këtë aktvendim me kohë do ta ndërpriste përmbarimin dhe do ta njoftonte kreditorin se nuk mund të vazhdohet me përmbarim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ymer Kastrati ka nxjerrë urdhëresë për inkasim dhe transfer, me të cilën nga llogaria e KBI ka transferuar 4.282,70 euro në llogarinë e kreditorit Ali Gashi, i cili veprim nuk ka qenë i lejueshëm në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme.

Me këto veprime, Kastrati akuzohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca e radhës është caktuar për më 13 prill.