Foto: Arkiv

Jep dorëheqje kryetari i Leposaviqit

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, ka dhënë dorëheqje, raportojnë mediat serbe.

Hapi i tij erdhi në koordinim me kolegët tjerë të komunave të veriut të Kosovës në shenjë proteste ndaj taksës doganore të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe javën e kaluar.

Më herët dorëheqje dha edhe kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Vendimin për dorëheqje Rakiq e arsyetoi me atë që e quajti “politika diskriminuese të qeverisë së Kosovës ndaj serbëve të Kosovës”.

Lajmin për dorëheqje ai e kumtoi në një seancë të jashtëzakonshme të asamblesë së komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këshilltarët e asamblesë komunale të Mitrovicës se Veriut janë mbledhur në ndërtesën e komunës për të mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë, pak orë para se të dalin në protestë kundër taksës doganore të vendosur javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Protesta do të mbahet në ditën e shtatë të vendosjes së kësaj takse e cila erdhi si reagim ndaj fushatës së Serbisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare por që ngjalli reagime të ashpra nga Serbia dhe serbët në Kosovë dhe u kundërshtua nga bashkimi Europian dhe SHBA-të.

RTS raporton se në protestë do të marrin pjesë edhe studentë të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Para protestës, asambletë e komunave të veriut të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku) do të mbajnë mbledhje.