Foto: PDK

Javën tjetër PDK inicion krijimin e Komisionit për hetimin e listave të veteranëve

Kryetari i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se gjatë javës së ardhshme, Grupi Parlamentar i PDK-së do të iniciojë krijimin e Komisionit hetimor parlamentar që do të hetojë dyshimet për mashtrime në listat e veteranëve.

“Duhet ta pranojmë që jo pak njerëz që nga përfundimi i luftës kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fuqinë e tyre. Kjo duhet të marrë fund. Këta njerëz kanë dëmtuar më së shumti reputacionin e UÇK-së, kanë bërë që shumë njerëz të mendojnë që e kanë bërë atë që e kanë bërë sa për të përfituar, por kjo nuk është e vërtetë, është po aq e rreme po aq sa ata mijëra mashtrues që paraqiten sot si veteranë. Si një prej themeluesve të UÇK-së, unë nuk mund të rri indiferent ndaj mashtrimeve që ndodhin në emër të UÇK-së”, ka theksuar Veseli.

Veseli është shprehur se nga ky Komision do të kërkohet të dorëzohen listat e veteranëve, të dhënat e pranimit ose refuzimit të deritanishëm për kërkesat e pranimit të statusit të veteranit, kriteret e përzgjedhjet, si dhe numri i komandantëve dhe ushtarëve në njësitë e zonave operative.

“Do të kërkohet ballafaqim me fakte, ballafaqimi i listave tradicionale dhe çfarëdo fryrje që ka ndodhur më pas. Ky Komision do të sigurohet që buxheti i Kosovës nuk do të dëmtohet, këto janë para të qytetarëve që nuk duhet të harxhohen për mashtrues”, ka shtuar Veseli.

Veseli ka thënë se me fryrjen e listave do të humbasin veteranët e UÇK-së. Sipas tij me ligjin e miratuar parashihet që shuma financiare për mbështetjen e veteranëve të mos jetë më shumë se 0.7 % e bruto produktit vendor.

“Aktualisht është tejkaluar për 35 milionë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nëse listat fryhen për çdo veteran ulen 40 për qind të benefecioneve materiale. Nëse trendi i mashtrimit vazhdon mund të kolapsojnë veteranët për shkak të ndalesave ose mund të kolapsojë shteti i Kosovës”, tha ai.

Veseli ka thënë se ka dyshime që në listën e veteranëve janë përfshirë edhe persona që kanë dorëzuar armë në Policinë serbe ose kanë qenë policë lokal në vitet 90-ta.

“Ka dyshime që kanë dorëzuar armët në Policinë serbe, ka dyshime që mund të kenë edhe regjistrime televizive por sot kanë statusin e veteranit. Armët nuk i ka dorëzuar veterani dhe UÇK”, ka theksuar Veseli.

Më tutje Veseli tha se raporti final i Komisionit do të bëhet publik për t’i ndjekur penalisht mashtruesit. Po ashtu kryeparlamentari Veseli tha se do të iniciojnë edhe ndryshimet e duhura në ligjin aktual.

“Do të specifikohen të drejtat, përgjegjësitë e veteranit, do ta promovojmë ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës. Nuk ka asnjë arsye që veteranët që mund të punojnë të mos ta bëjnë këtë. Këtë iniciativë po e ndërmarr për nder të atyre që kanë rënë, atyre që kanë rrezikuar jetën e tyre në luftë. Askush nuk mund të mashtrojë për gjërat që i kemi bërë dhe kaluar së bashku”, u shpreh Veseli.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u shpreh se pret mbështetjen e të gjithëve në këtë nismë.

“Edhe pak ditë na ndajnë dita e çlirimit të Kosovë, emblemë e kësaj është UÇK dhe veteranët. Do të jem i pa kompromis për këdo që e dëmton, që është mashtrues, i korruptuar, duke u nisur nga partia ime e familja ime. Kjo nismë po bëhet për të ruajtur reputacionin e veteranëve të UÇK-së”, përfundoi Veseli.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

https://kallxo.com/aktakuze-per-listat-e-veteraneve/

https://kallxo.com/vendos-gjykata-veteranet-do-i-marrin-pensionet/

https://kallxo.com/hetimet-per-veteranet-e-rrejshem-prokuroria-e-pejes-akuzoi-21-persona-deri-me-tani-video/

.