Jasharaj: Kërkesat e Mësuesve Janë Obligim

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë (SBASHK), Rrahman Jasharaj tha se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër pos grevës së përgjithshme që po e mbajnë sot.

Jasharaj në një konferencë nga Shkolla ‘Dardania’ në Prishtinë ripërsëriti arsyet për të cilat mësimdhënësit e Kosovës po mbajnë grevë ditore.

“Greva e 12 marsit erdhi si produkt i mos miratimit të kërkesave tona. Por kjo rezolutë e obligon këshillin e SBASHKU-t që nga 12 marsi deri më 13 prill plotësohen kërkesat tona. Po u premtoj që kërkesat tuaja janë obligim. Ne bashkë pa dëshirën tonë se nuk kemi zgjidhje tjetër do të provojmë t’i realizojmë kërkesat tona”, tha ai.

Në mesin e kërkesave kryesore të SBASHK-ut është e dhe miratimi i ligjit për Punëtorët e Arsimit të Viteve të 90-ta.

Ai tha se pagat e mësimdhënësve nuk mund të jenë në fund të listës në kuadër të ligjit për pagat. Tha se e kanë hartuar një draft të këtij ligji për pjesën e mësimdhënëseve, të cilin do ta dërgojnë në qeveri si propozim. Gjithashtu, ai tha se arsye kryesore për greva është edhe mos-zbatimi i plotë i kontratës kolektive. Tha se aktualisht të gjithë mësimdhënësit që dalin në pension obligohen që të shkojnë nëpër gjykata për t’i kërkuar tri pagat që ju takojnë me kontratë kolektive.

Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave të Përgjithshme në Kosovë po ashtu mori pjesë në konferencë duke bërë thirrje për plotësimin e kërkesave të SBASHK.

“Në emër të BSPK-së e keni përkrahjen tonë. Është dashur të futemi në këtë sistem për të kërkuar të drejtat tona. Nuk kisha pasur dëshirë që në këtë formë t’ realizojmë të drejtat tona. Kisha apeluar te ministri për çështje financiare që të gjej buxhetin dhe t’i realizoj kërkesat tona. Nuk pranojmë që askush të na degradoj punën tonë. Ne kemi shumë sfida, por sfidat duhet të merren seriozisht, njerëzit që marrin përgjegjësi duhet t’i kryejnë ato. Nëse nuk mund të realizohen kërkesat e profesorëve, arsimtarëve e mësuesve atëherë duhet ndryshe të veprohet”, tha Ajdini.

KALLXO.com ka raportuar për fillimin e grevës.

http://kallxo.com/fillon-greva-e-mesimdhenesve-ne-nivel-vendi/