Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë - Foto: Rtv21

Jan Braathu: Zgjedhjet në veri pa asnjë incident

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se procesi zgjedhor në komunat veriore është duke u mbajtur pa asnjë incident.

“Procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk ka pas asnjë incident deri më tani. Votimi i qytetarëve në këto zgjedhje është më i lartë sesa në vitin 2017”, tha Braathu.

Tutje ai tha se po shohin prezencë të madhe të njerëzve në këto zgjedhje.

“Po shohim shumë njerëz që janë duke ardhur për të votuar dhe gjithçka është në rregull”, tha ai para mediave në Zveçan.

Në katër komuna në veri të Kosovë janë duke u mbajtur zgjedhjet për kryetarë të tyre.

Zgjedhjet po mbahen pas dorëheqjes së katër kryetarëve si reagim ndaj vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.