Foto: Bilall Sherifi - Facebook

Jakup Krasniqi në shoqërinë e bashkëpartiakëve para nisjes për në Hagë

Shefi i Grupit Parlamnetar të Nismës Socialdemorkate Bilall Sherifi po e shoqëron në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nisma-s, Jakup Krasniqin, para nisjes për në Hagë, pasi ky i fundit është thirrur nga Gjykata Speciale për intervistim.

Sherifi e ka publikuar një fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihet bashkë me Krasniqin, ministrin në largim Skender Reçica, si dhe persona të tjerë, ndonëse nuk i ka vënë ndonjë përshkrim pamjeve.

Krasniqi të shtunën e kaluar kishte bërë të ditur se është i ftuar për intervistim në Hagë më datë 24 korrik 2019 nga ana e Dhomave të Specializuara.

Sot drejt Hagës do të niset edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj të premten e 19 korrikut, kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të qeverisë, me arsyen se ka marr ftesë nga Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj kishte thënë se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet, dhe se ai do të paraqitet në Hagë si qytetar e jo si kryeministër i Kosovës.

Gjykata Speciale riktheu vëmendjen e opinionit në javën që lamë pas, me rastin e dërgimit të ftesave për intervistim kundrejt figurave të larta politike në vend, siç është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Publike janë bërë edhe ftesa të tjera që kanë pranuar ish-luftëtarë të UÇK-së për të udhëtuar drejt Hagës, në cilësinë e të dyshuarve apo edhe dëshmitarëve.

Gjithashtu, të dielën u bë e ditur se ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja ka udhëtuar për në Hagë për t’u paraqitur para prokurorëve të Speciales.

Të ftuar të tjerë por edhe persona që tashmë janë intervistuar në Dhomat e Specializuara janë edhe Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Remzi Shala, Nazif Mehmeti, Sokol Dobruna, Safet Syla, Sylejman Selimi, Lahi Brahimaj, Blerim Kuçi, Sebajdin Cena, Naim Maloku, Sokol Bashota, Bislim Zyrapi, Raimonda Rreci, Flamur Hoti e Ramiz Qeriqi.

Në anën tjetër, detaje nga procesi i intervistimeve ka treguar avokati Arianit Koci.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka bërë të ditur se një klient i tij do të intervistohet në hotel nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale.

Koci ka shtuar se këtë konfirmim e ka pranuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndrojë. Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e jo seriozitetit”, ka shkruar ai.

Koci ka theksuar se beson që ky trajtim po bëhet në mënyrë të padinjitetshme.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.