Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - Foto: KALLXO.com

Jahjaga: Moment për të Reflektuar për Dëmin e Shkaktuar për Tri Vjet

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi dhe e ka quajtur një hap i rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit.

Jahjaga ka shtuar se ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje i hap rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës duke i dhënë fund izolimit të tyre.

“Megjithatë, sot duhet të jetë edhe një ditë e reflektimit. Klasa politike e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të menduar thellë për dëmin e shkaktuar nga tri vite veprimesh apologjetike dhe një politikë shkurtpamëse të interesave të ngushta politike. Rezultati është një diskreditim i pariparueshëm i reputacionit të institucioneve para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thksuar Jahjaga në postimin e saj në Facebook.

Po ashtu ajo i ka falënderuar të rinjtë e Kosovës që sipas Jahjagës me durim të pashoq e shpërthyen këtë izolim të padrejtë duke e sjellë vëmendjen e botës në Kosovë përmes inovacionit dhe kreativitetit të tyre.

“Tani është radha ta dëshmoni atë që tashmë e dimë – që Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Jahjaga.