Jahjaga, Evropa e Amerika të Gëzuar për MSA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar fillimin e procesit të Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim që është nënshkruar sot mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Përmes kësaj marrëveshje, Kosova sot nisë rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit”, ka thënë presidentja Jahjaga.

E para e vendit ka thënë se ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë.

“Arritëm këtu, deri te kjo ditë historike për Kosovën, me angazhim të gjerë të qytetarëve, institucioneve, spektrit politik, shoqërisë tonë civile, komunitetit të biznesit e shumë segmenteve tjera të shoqërisë”, ka deklaruar Presidentja.

Jahjaga ka thënë se Kosova ka një rrugë të gjatë deri në cakun final të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Menjëherë pas nënshkrimit të MSA-së, Kosova është uruar edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së të cilët u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t’iu kthyer dialogut politik .

“Është në interes të të gjitha partive politike dhe në rend të parë të qytetarëve të Kosovës që të punojmë së bashku drejt zbatimit të shpejtë të MSA-së për të mirën e transformimit më të shpejtë të Kosovës në një vend ku njerëzit shohin me optimizëm të ardhmen e tyre evropiane. Në këtë kuptim, një Kuvend që funksionon, efikas dhe efektiv, do të ishte qenësor”, thuhet në urimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas BE-së, përdorimi i dhunës nuk ka vend në aktivitetet politike.

“Ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike që opozita mund t’i përdorë për të ngritur zërin e saj, dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjëra prej tyre”, thuhet në urimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë uroi Qeverinë e Kosovës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Pasi që të miratohet nga Kuvendi dhe të zbatohet MSA-ja do të ofrojë përfitime të prekshme për popullin e Kosovës. Ajo përfaqëson një përparim të vërtetë në integrimin në institucionet evropiane dhe transatlantike”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.

Gjatë ditës së hënë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendojes, Rexhep Selimi ka thënë për KALLXO.com se sjellja e MSA-së në Kuvendin e Kosovës për t’u ratifikuar është një truk i Qeverisë ndaj opozitës.

Ndërsa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta ratifikojë MSA-në.