Ja si do t'i kompensojë orët e humbura Fushë Kosova

Pasi Ministria e Arsimit ditë më parë ia la në duar DKA-ve formën e kompensimit të orëve të grevës, disa komuna kanë filluar të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

Komuna e Fushë-Kosovës ka vendosur që atë ta bëjë përmes mbajtjes së mësimit në ditën e shtunë.

“Ne deri më tani i kemi zëvendësuar tri të shtune dhe kemi planifikuar që gjatë tërë muajit maj t’i zëvendësojmë të shtunave dhe me përmbyll javën që e ka planifikuar ministria”, tha drejtori i Arsimit në këtë komunë Islam Shabani për KALLXO.com

Përveç Fushë Kosovës, edhe Prizreni, Peja, Prishtina dhe Obiliqi kanë filluar që të gjejnë mënyra për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E për këtë Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.