Ja për çfarë dyshohen dy serbët e arrestuar për spiunazh në Kosovë

Dy serbë, shtetas të Kosovës, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Të njëjtit dyshohen për spiunazh.

Prokuroria e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se serbët me shtetësi kosovare kanë tentuar që dosjet e disa zyrtarëve komunalë serbë të Kllokotit dhe Vitisë t’i dergojnë në Serbi.

“Ekziston dyshimi i bazuar, se të dyshuarit T.T. dhe D.D., më 10 korrik 2019, rreth orës 9:15 minuta, në pikën kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’, në bazë të kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë –  Qendra Koordinuese për Kosovë, me seli në Vranjë, kanë tentuar që dosjet  për disa zyrtarë komunalë të nacionalitetit serb të komunës së Kllokotit dhe Vitisë, t’i dërgojnë në Republikën e Serbisë, me ç’rast gjatë kontrollimit nga ana e policisë, në automjetin e tyre, janë gjetur këto dosje”, ka thënë per KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Xheladini.

Për këtë çështje, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë rreth masës për sigurimin e të pandehurve në procedurë.