Siri, fotografi nga arkivi.

Izraeli dyshohet se ka sulmuar një akademi ushtarake siriane

Nga sulmet ajrore, që dyshohet se janë kryer nga Izraeli mbi një akademi ushtarake në Siri, kanë mbetur të plagosur gjashtë ushtarë dhe janë shkatërruar disa ndërtesa, tha sot agjencia e lajmeve siriane, SANA.

Një zyrtar ushtarak i tha agjencisë shtetërore SANA, se Izraeli ka goditur akademinë ushtarake që gjendet në afërsi të qytetit Masyaf, në provincën Hama.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, tha se sulmet ajrore të kryera nga Izraeli kanë goditur tri caqe, duke lënë të plagosur 17 ushtarë sirianë. Po ashtu, kjo organizatë tha se nga këto sulme ka edhe të vdekur, por nuk është ende e qartë se sa persona kanë vdekur dhe nëse në mesin e tyre ka edhe iranianë apo luftëtarë të mbështetur nga Irani.

Ushtria izraelite ka refuzuar që të komentojë lidhur me këto sulme. Ky shtet zakonisht nuk komenton lidhur me raportimet se ka kryer sulme ajrore në Sirinë fqinje, edhe pse shpesh pranon se kryen sulme mbi caqet iraniane.

Irani është aleat i ngushtë i presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe ka dërguar këshilltarë ushtarakë në Siri dhe po ashtu mijëra luftëtarë nga mbarë rajoni, për të ndihmuar forcat siriane në konfliktin tetëvjeçarë.