Oliver Ivanoviq

Ivanoviq Kundërshton Qeverinë e Serbisë për Favorizimin e ‘Listës Serbe’

Njëri nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u shpreh i shqetësuar të dielën për favorizimet që Listës Serbe po i bëhen nga qeveria e Serbisë në garën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Që nga viti 2013 kur është certifikuar për herë të parë për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, kandidatët e Listës Serbe kanë qenë të preferuarit e qeverisë në Beograd. Zyrtarë të lartë të qeverisë serbe kanë bërë fushatë dhe presione ndaj votuesve për ta mbështetur këtë subjekt.

Por Oliver Ivanoviq i cili udhëheq Iniciativën Qytetare Social Demokrate në komunat e veriut të Kosovës, tha se një sjellje e tillë e qeverisë së Serbisë përçan serbët e Kosovës.

“Më brengos raporti i pushtetit ndaj serbëve të Kosovës, përveç atyre që janë “të vetmit”. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Ndan dhe konfronton serbët”, tha Ivanoviq të dielën në një postim në Tëitter duke iu referuar sloganit të Listës Serbe “Të Vetmit”.

“Ndoshta nuk i janë të gjithë të tjerët njëjtë të vlefshëm këtij pushteti që të mos i kemi të njëjtat të drejta. Udhëheqja e zgjedhur ka të drejtë të simpatizojë, por jo në këtë mënyrë”, shtoi Ivanoviq.