Iu dha lamtumira e fundit gazetarit Naim Haxhosaj

Në nderim të jetës dhe veprës së gazetarit Naim Haxhosaj në Komunën e Deçanit është mbajtur akademi përkujtimore.

Miqtë dhe kolegët e tij lajmin e kanë marrë me dhimbje dhe kanë shprehur ngushëllime duke e përkujtuar angazhimin dhe përkushtimin e tij në gazetari.

“Shkuarja në amshim e Naim Haxhosajt është një humbje e madhe dhe na ka tronditur të gjithëve”, tha kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në akademinë përkujtimore.

Ramosaj e cilësoi Naim Haxhosajn si një të ri plot energji e me dinamikë maksimale.

Për angazhimin dhe përkushtimin e tij në fushën e gazetarisë folën edhe kolegë gazetarë me të cilët ai kishte bashkëpunuar.

Gazetari Naim Haxhosaj kishte punuar për vite të tëra për media si KALLXO.com, gazeta “Koha Ditore”, në televizioni “Syri” e “Top Iliria Radio”.

Naim Haxhosaj është varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Prejlep të Deçanit.

Gazetari Naim Haxhosaj vdiq mbrëmë në moshën 42-vjeçare. /21Media