Deputeti i AAK-së Ahmet Isufi

Isufi: Dialogu duhet të jetë i përqendruar vetëm te njohja reciproke me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha sot në seancën e Kuvendit se dialogu me Serbinë duhet të jetë i përqendruar në një pikë, në njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë.

“Asnjë temë tjetër nuk duhet pranuar, se kohëve të fundit janë duke u përfolur shumë tema të tjera të brendshme, territore”, tha Isufi.

Ai tha se roli i Kuvendit duhet të jetë i domosdoshëm në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

“Duke e përcjellë sjelljen e shtetit serb ne duhet t’i lëmë të gjitha interesat politike dhe duhet të përqendrohemi në cilësinë e dialogut dhe në ekipin që do të jetë pjesë e dialogut, sa herë që kemi qenë të bashkuar kemi qenë të suksesshëm”, theksoi Isufi.

Isufi u shpreh se duhet të jenë të angazhuar dhe të bashkuar rreth pozicionit të Kosovës.

“Ne si AAK do të përkrahim rezolutën që unifikon qëndrimin tonë dhe obligon ekipin që Kosova të përfitojë nga ky dialog. Duhet të harmonizohen pikat që të bëjnë Kuvendit një institucion që kërkon llogari”, përfundoi Isufi.

KALLXO.com transmetoi LIVE seancën e Kuvendit.