Foto: Facebook/Bedri Istrefi

Istrefi nuk shkoi në Komision, takohet me sindikalistët e Telekomit

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi pasi nuk shkoi të diskutojë për gjendjen e Telekomit të Kosovës në Komisionin për Legjislacion, ai është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së kësaj ndërmarrje.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Istrefi tha se ka ofruar gatishmërinë e tij që të diskutojë për çdo çështje që është në interes të Telekomit.

“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit në Telekomin e Kosovës, sot pata një takim me përfaqësuesit e Sindikatës Profesionale të Telekomit të Kosovës, ku diskutuam për gjendjen e përgjithshme në Telekomin e Kosovës, sfidat dhe vështirësitë, si dhe strategjinë e zhvillimit të kompanisë sonë. Padyshim që sindikata luan një rol të rëndësishëm, jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve dhe ruajtjen e mirëqenies së tyre, por edhe në arritjen e synimeve strategjike, për zhvillimin e kompanisë sonë”, ka shkruar Istrefi.

Istrefi ishte ftuar sot në Komisionin për Legjislacion që të diskutoj në lidhje me letrën që ai ia ka dërguar punëtorëve të Telekomit, që të mos shpërndajnë informacione palëve të treta, por gjatë ditës së sotme e ka anuluar pjesëmarrjen e tij në këtë komisioni.

Kjo letër nga anëtarët e komisionit u cilësua si shkelje të Ligjit për Sinjalizuesit.