Haki Rugova e Gani Dreshaj - Foto: KALLXO.com

Istogu Shkon në Rivotim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi sot që votuesit në Istog të dalin edhe një herë në zgjedhje në garën e balotazhit për ta zgjedhur kryetarin e tyre.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga sekretari i PZAP-së, Mulë Desku.

Vendimi erdhi pas ankesës së LDK-së.

“PZAP-i ka pranuar si te bazuar ankesën e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe ka vendosur që të anulohen rezultatet e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit 2017, për Rundin e dytë, të mbajtura me datë 19.11.2017, për kryetar Komune në Istog dhe urdhëron Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ta përsërisë votimin e Rundit te dytë të Zgjedhjeve Lokale, për Kryetar të  Komunës së Istogut”, tha Desku.

Në garë për Istogun në balotazh janë Haki Rugova i LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Gjithashtu PZAP ka refuzuar një ankesë të kandidatit të Listës Serbe për kryetar të komunës së Kllokotit, Strahinja Spasiq, i cili ka humbur garën me rezultat të ngushtë karshi rivalit të tij, Bozhidar Dejanoviq nga Iniciativa Qytetare Kllokot- Vërbovc.