Kolegji ISPE - Foto: Facebook

ISPE reagon ndaj deklaratave të ministrit Bytyqi për ‘shantazh’

Kolegji ISPE ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili sot në një konferencë për media tha se ka pasur “shantazh” dhe “presion” nga kolegji në procesin e vendimmarrjes në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

ISPE ka paralajmëruar një konferencë për media nesër në ora 16:00, ku do të paraqesin pikëpamjet dhe faktet e tyre në lidhje me, sipas tyre, të gjitha parregullsitë dhe shkeljet e Ministrit Bytyqi dhe të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Kolegji thotë se përderisa ministri Bytyqi nuk ka paraqitur as edhe një fakt të vetëm në lidhje me pretendimet e tij për ‘shantazh’ dhe ‘presion’, zyrtarët e kolegjit do të ofrojnë fakte të shkruara dhe të natyrës tjetër dhe se do ta lënë në diskrecion të publikut të gjykojë të drejtën në këtë rast.

“Po ashtu dëshirojmë të potencojmë se Kolegji ISPE ka parapëlqyer zgjidhjen e këtyre problemeve brenda strukturës institucionale të Kosovës dhe në bazë të ligjit, por pas kësaj çka ka ndodhur sot, kur vet Ministri hidhet në sulm ndaj një institucioni të vetëm të Arsimit të Lartë në vend, që të respektojë interpretimin e Departamentit Ligjorë dhe Ligjin për Arsimin e Lartë, ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për pasojat që mund t`i ketë sistemi i arsimit në Kosovë nga përjashtimi eventual i Kosovës nga organizatat respektive evropiane por edhe reagimet popullore që eventualisht mund të pasojnë, gjithmonë pas publikimeve të fakteve të cilat dëshmojnë persekutimin e Kolegjit ISPE në vazhdimësi nga një fushat e mirë orkestruar që lirisht mund të kualifikohet si ndërmarrje kriminale”, thuhet në reagim.

https://kallxo.com/ministri-bytyqi-kolegji-ispe-po-me-ben-shantazh/

Përveç mediave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ISPE fton në këtë konferencë edhe ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin, për të cilin kanë thënë se do t’i japin kohën e mjaftueshme që të përgjigjet apo të reagojë.