Ismet Osmani "Curri" nuk jam dënuar asnjëherë

Biznesmen të suksesshëm dhe humanist të madh e ka quajtur avokati Alban Arifi klientin e tij – Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, i dyshuar për fajde.

Këto komente avokati i ka bërë në Gjykatën e Prishtinës, e cila sot ka vendosur për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për katër të dyshuarit Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaqi dhe Mentor Maqani, ndërsa Rrahim Hashimin e ka liruar me arsyetimin se ka arritur parashkrimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer gjatë vitit 2012.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Gjykatës për pesë të dyshuarit.

Gjatë seancës dëgjimore mbrojtësi i Ismet Osmanit – Currit, Alban Arifi ka folur për biografinë e klientit të tij.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se avokati ka thënë se klienti i tij nuk është personi të cilin po e paraqesin mediat. “Ai nuk është dënuar asnjëherë për ndonjë vepër penale, është tregtar i suksesshëm dhe humanist i madh”, ka thënë avokati Alban Arifi.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati ka thënë se klienti i tij i ka quajtur të pavërteta pretendimet e Prokurorisë.

“Nuk janë të vërteta këto që thuhen për mua. Unë që pesë herë jam duke u marrë në pyetje për këtë punë”, citoi avokati klientin e tij Ismet Osmani të ketë thënë para Gjykatës.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, Ilir Bojku, para Gjykatës ka thënë se është i pafajshëm dhe se e ka zënë sherri me tokën që e ka blerë.

“Asgjë nuk qëndron nga ajo që tha prokurori. Unë jam shumë i pafajshëm ndërsa e kam blerë një tokë dhe më ka zënë sherri dhe gjendem tani këtu”, tha Bojku, thuhet në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com.

Dyshimet se është përfshirë në fajde i mohoi edhe i dyshuari Mentor Maqani.

“Unë nuk kam lidhje me fajde dhe Fatoni  nuk më ka thënë gjë përveç se më ka shitur mua një spital, të cilin e kam blerë dhe jemi marrë vesh me rata të cilat ia kam dhënë pak nga pak dhe pas kësaj ai është larguar nga Kosova dhe nuk është kthyer më. Unë jam mashtruar në këtë rast prej Fatonit”, ka deklaruar Maqani.

Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se i dyshuari tjetër Adil Thaqi ka thënë se ka qenë i angazhuar vetëm në ndërmjetësimin për shtyrjen e pagesës së borxhit.

“Me Faton Dalladakun unë nuk kam pasë ndonjë punë, ai vetë ka ardhë tek shtëpia ime dhe ka kërkuar një ndërmjetësim të shtyrjes së borxhit për dy muaj”, citohet të ketë thënë Thaqi.

Sipas vendimit të Gjykatës, i dyshuari tjetër, Rrahim Hashimi, ka deklaruar se nuk i njeh asnjë nga të dyshuarit dhe as edhe nga emri.

“Kërkesa e prokurorit mendoj se është keqkuptuar ose ka qenë tendencioze sepse unë fare nuk kam njohuri për ketë rast, nuk i njoh të dyshuarit as me emra. Asnjëherë në jetë askujt nuk i kam dhanë fajde dhe e kundërshtoj kërkesën e prokurorit për paraburgim”, citohet të ketë thënë Rrahim Hashimi.

Dyshimet e Prokurorisë:

Ismet Osmani (Curri), Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashimi u arrestuan dje gjatë ditës nën dyshimet se janë marrë me fajde, mashtrim dhe detyrim.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2012.

Sipas Prokurorisë, në atë kohë të dyshuarit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro.

Për sigurimin e kthimit të borxhit ata kishin lidhur kontratë mbi shitblerjen e shtëpisë në lagjen Pejton, ku i dyshuari Sami Nika ishte evidentuar si pronar i saj.

Faton Dalladaku për 350 mijë eurot e marra ishte ngarkuar me kamatë mujore 7%, apo 25 mijë euro në muaj, dhe gjatë dy muajve ai kishte paguar kamatën 50 mijë euro, te Sami Nika, e i cili më pas i kishte dhënë Rrahim Hashimit e Ekrem Likës nga 10 mijë euro.

Mirëpo me vendimin e Gjykatës së Prishtinës kjo pikë është hedhur poshtë për shkak të arritjes së vjetërsimit absolut të veprës penale.

Përfshirja e “Currit”

Prokuroria pretendon se në fund të vitit 2013, Ismet Osmani, Sami Nika, dhe Ilir Bojku, kishin blerë një tokë 3 hektarëshe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në vlerë 600 mijë euro.

Për ketë tokë ata ia kishin paguar 250 mijë euro pronarit S.P., ndërsa pjesën tjetër të mbetur prej 350 mijë eurove e kishin ngarkuar të dëmtuarin Faton Dalladaku, të paguante në emër të fajdesë duke vazhduar t’ia mbanin shtëpinë në posedim sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të prokurorisë thuhet se disa muaj më vonë ata e kishin detyruar Faton Dalladaku që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit i cili deri atëherë kishte arritur në 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

Lidhur me ketë rast po dyshohet të ketë rol edhe i dyshuari tjetër Mentor Maqani.

Maqani dyshohet se gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Maqani ishte pajtuar që ta blinte atë pronë për 700 mijë euro. Sipas marrëveshjes, Maqani do ta blinte  borxhin prej 450 mijë euro, me të cilin Dalladaku i detyrohej Sami Nikës, Ismet Osmanit dhe Ilir Bojkut, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante.

Lidhur me ketë marrëveshje, sipas prokurorisë, Mentor Maqani, kishte transferuar 100 mijë euro te Faton Dalladaku dhe për shumën e mbetur prej 150 mijë eurove i kishte dhënë dy vetura.

Në ketë dosje thuhet se Maqani i kishte rënë pishman për marrëveshjen dhe e kishte ndërprerë me ç’rast dy veturat të cilat ia kishte dhuruar për 150 mijë euro, ia kishte marrë prapa për 80 mijë euro dhe me anë të kërcënimit e kishte kërkuar kthimin e borxhit në shumë prej 582 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Dalladaku për shtyrjen e pagesës së këtij borxhi kishte kërkuar ndihmën e Adil Thaqit i cili ia kishte paguar Sami Nikës 260 mijë euro për blerjen e shtëpisë në Pejton.

Prokuroria Pretendon se Adil Thaqi i cili ishte paraqitur si ndërmjetësues, me anë të fakteve të rreme e kishte mashtruar Faton Dalladakun se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse në transaksionet financiare shihet se ai nuk i ka pasur 260 mijë euro për t’i paguar.

Lidhur me këtë rast janë të dyshuar edhe dy persona E. L, dhe Z. J, mirëpo po vazhdojnë të jenë në kërkim nga Policia.