Pamje nga mbledhja e sotme e Komisionit parlamentar për Shëndetësi - Foto: KALLXO.com

Ismaili: Sigurimet Shëndetësore në Fund të Vitit 2018

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot para Komisionit parlamentar për Shëndetësi, se në fund të vitit të ardhshëm do të fillojë një fazë pilotuese për sigurimet shëndetësore për të vazhduar më pas me implementim të përgjithshëm.

Ministri theksoi se çështja e sigurimeve shëndetësore është një “patate e nxehtë”, të cilën ia kanë lënë në dorë udhëheqjet e kaluara të këtij sektori.

Megjithëse tha se nuk do të bëjë premtime boshe politike lidhur me çështjen, ministri Ismaili dha një datë konkrete për sigurimet.

“Sigurimet shëndetësore do të fillojnë vitin e ardhshëm. Sigurisht se një sistem aq i madh duhet të testohet, do të fillohet si parafazë për të filluar në të gjithë Republikën e Kosovës në vitin pasues”, tha Ismajli.

Përveç çështjes së sigurimeve shëndetësore, deputetët  e Komisionit të Shëndetësisë kërkuan përgjigje nga ministri edhe lidhur me vdekjet nga fruthi që kanë ndodhur ditëve të fundit dhe ato nga gazi i dyshuar me të cilën po merret prokuroria.

Lidhur me sigurimet shëndetësore ka pasur edhe disa premtime nga ministrat e kaluar, të cilat Krypometri i ka vlerësuar si premtime të pambajtura.

Mashtrimet për Sigurimet Shëndetësore