Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Ismaili: Blerje Kohe Takimi i Thirrur nga Thaçi

Pasi Ardian Arifaj, tregoi në RTK se Presidenti Thaçi ka ftuar takim konsultativ për të hënën e 24 korrikut në lidhje me caktimin e seancës konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, Valmir ismaili nga “Demokracia Plus” këtë nismë të Thaçit e cilësoi të panevojshme.

Këtë takim Ismaili e konsideroi blerje kohe.

“Thirrja e një takimi konsultativ nga ana e Presidentit të vendit me subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvend është i panevojshëm dhe mund të konsiderohet si blerje kohe për të mos thirrur sa më shpejt seancën konstituive”, tha Ismaili.

Ardian Arifaj, këshilltari i Presidentit Thaçi tregoi sot për RTK-në se përfaqësuesit e subjekteve politike janë ftuar në një takim konsultativ të hënën e ardhshme.

“Presidenti në përputhje me mandatin e tij ka vendosur t’i ftojë përfaqësuesit e partive që kanë fituar ulëse në një takim konsultativ të hënën në orën 10 që të merren vesh për datën se kur preferojnë të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit”, deklaroi Arifaj.

Këshilltari i Thaçit nuk tregoi se kur Presidenti do ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit, por tha se ftesat për përfaqësuesit e subjekteve politike për takimin konsultativ janë gati dhe do t’u dërgohen atyre.

Edhe pse Arifaj tha se takimi konsultativ i ftuar nga Thaçi është në kuadër të mandatit të Presidentit, Valmir Ismaili nga “Demokracia Plus” tha për KALLXO.com se Thaçi vetëm duhet ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit dhe me kushtetutë nuk ka ndonjë obligim tjetër.

“Kushtetuta e vendit është shumë e qartë në këtë aspekt, Presidenti i vendit e ka për obligim që të thërrasë seancën konstituive brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve”, tha Ismaili.

Ai bëri të ditur se përgatitjet për seancën konstituive i bën kryesia e përbërjes së kaluar të Kuvendit.

“Përgatitjet për mbajtjen e seancës konstituive janë obligim i Kryetarit dhe Kryesisë së legjislaturës paraprake dhe jo e Presidentit të vendit. Rregullorja e Punës së Kuvendit, përkatësisht Neni 8 i saj e rregullon shumë qartë këtë proces”, tha Ismaili.

KALLXO.com ka shkruar për rrugën që duhet të ndiqet për ta thirrur seancën konstituive të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.