Ish-Zyrtarët Komunalë të Prishtinës Deklarohen të Pafajshëm

Ish-zyrtarët e akuzuar për mosveprim ndaj ndërtimeve pa leje në kryeqytet, nuk e pranuan fajësinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon 10 ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal në lidhje me keqpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit.

Në seancën e sotme pasi këtyre ish-zyrtarëve të Drejtorisë së Inspektoratit të Ndërtimit iu lexua aktakuza, ata nuk e pranuan fajësinë.

Të fajshëm veten për akuzën a armëmbajtjes pa leje e konsideroi vetëm Skender Canolli.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Mospranimin e fajësisë e konfirmoi pas seancës kur foli për KALLXO.com edhe Nikë Shala, avokati i Mërgim Shalës.

“Në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar, gjithë te akuzuarit e kanë mohuar aktakuzën dhe nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen. Në përjashtim te një të akuzuari i cili akuzohet për veprën penale te armbajtës pa leje,“  tha avokati Shala.

Shala tha se do të kundërshtojë aktakuzën.

“Brenda afatit ligjor, natyrisht si mbrojtës i të akuzuarit Mërgim Shala do të paraqesë kundërshtimet dhe do të kërkojë hedhjen e aktakuzës,“deklaroi Shala.

10 ish-zyrtarët qenë arrestuar në prill të vitit të kaluar, ndërsa aktakuza kundër tyre qe ngritur në qershor të këtij viti.

Seanca e ardhshme e këtij procesi u caktua më 19 tetor.