Foto: Kallxo.com

Ish- zëvendës komandanti i policisë në veri, i pafajshëm nga akuzat për shpenzimet e karburanteve

Ish- zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Darko Gusniq, është liruar sot nga akuzat në Gjykatën e Mitrovicës.

Gusniq akuzohej nga Prokuroria e Mitrovicës për keqpërdorim të pozitës, pasi që dyshohet se nuk kishte verifikuar shpenzimin e derivateve të naftës nga veturat zyrtare.

Ai është shpallur i pafajshëm sot nga trupi gjykues i përbërë nga Radoslav Markoviq (kryetar) dhe Milosava Taniq e Zoran Paviq (anëtar).

Gusniqin e përfaqësonte avokati Agim Lushta.

Në arsyetimin e shkurtër që ka dhënë trupi gjykues, thuhet se gjykata ka konstatuar se nuk është gjetur lidhja ndërmjet të pandehurit Darko Gusniq dhe personit tjetër Dragan Kompiroviq.

“Gjykata ka konstatuar se nuk është gjetur lidhja ndërmjet të pandehurit Darko Gusniq detyrat të cilat i ka ai person dhe që personi nuk ka pasur për obligim sepse ka pasur detyrë të bëjë verifikimin të cilën e ka bërë një person tjetër ai është Dragan Kompiroviq i cili e ka pasur detyrë që komandës regjionale t’i dërgojë shkresat e udhëtimit të veturave të cekura në kilometrazh dhe të shpenzimeve të derivateve dhe nuk është e vërtetuar se i pandehuri Darko Gusniq ka pasur detyrë që ta kontrollojë, kjo që ky zyrtar ka qenë i detyruar që ta dërgojë komandën”, tha kryetari i trupit gjykues Radoslav Markoviq.

“Nga ana e prokurorisë nuk është paraqitur asnjë dëshmi e cila tregon se në përgjegjësinë e të pandehurit ka qenë kontrolli apo verifikimi sa i përket kalimit të kilometrazhit ose të shpenzimeve të derivateve të veturave të cekura”, thuhet në arsyetimin e përkthyer gojarisht në gjuhën shqipe gjatë seancës.

Kryetari i trupit gjykues ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese në vendimin e gjykatës.

Sipas akuzës, Gusniq ishte dashur që t’i verifikojë shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të Policisë të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil Dragan Kompiroviq. Por, sipas akuzës, ai këtë nuk e ka bërë dhe ka nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të Policisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gusniq dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën prej 9 mijë e 146,01 euro.