Gjykata e Lartë në Beograd. Foto: Beta (BETAPHOTO/VLADIMIR MILOVANOVIC/AV)

Ish-ushtari serb mohon dijeninë për masakrën në fshatin Tërnë

Një ish-ushtar serb the në Gjykatën e Lartë të Beogradit se në fshatin Tërnë afër Ferizajt nuk kishte pasur luftime në mars 1999, kur forcat serbe vranë të paktën 27 shqiptarë etnikë.

Dëshmitari i mbrojtjes Dejan Milosavljeviq, një ish-kuzhinier i armatës serbe, tha të hënën në gjyqin e dy oficerëve serbë se luftimet ndodhën rreth dhe jo brenda fshatit Tërnë në mars të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Milosavljeviq tha se njësia e tij ishte vendosur në një kodër me pamje në një fshat të largët, emrin e të cilit ai nuk e dinte në atë kohë.

“Para nesh ishte një luginë, një fushë e sheshtë nga ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri,” tha Milosavljeviq.

Ai tha se nuk i pa dy të pandehurit, oficerët e Ushtrisë Serbe Pavle Gavriloviq dhe Rajko Kozlina në kodër – megjithëse kryetari i trupit gjykues vuri në dukje se të dy burrat nuk e kanë mohuar të kenë qenë atje.

Milosavljeviq mohoi më tej të ketë parë tym duke dalë nga fshati, të ketë parë ndonjë nga vendasit apo të ketë dëgjuar për ndonjë incident pasi njësia e tij u kthye në kazermë.

Milosavljeviq nuk është dëshmitari i parë i mbrojtjes që mohon të ketë pasur dijeni për masakrën. Në seancën e fundit dëgjimore në janar, dy komandantë të Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave, të vendosur në afërsi të Tërnes, pretenduan se nuk ishin në dijeni për incidentin.

Megjithatë, një tjetër oficer i tha gjykatës në vitin 2016 se ai pa “njerëz me uniforma ushtarake dhe policore” duke kaluar një urë ndërsa forcat serbe po tërhiqeshin nga fshati pas operacionit dhe trupat e vdekur në lumin aty pranë.

Në seancën e ditës së hënë, avokatët mbrojtës kërkuan gjithashtu që raportet mjeko-ligjore të mos pranoheshin si prova pasi zhvarrimet dhe autopsitë u kryen nga ekspertë ndërkombëtarë që nuk njiheshin nga gjykatat serbe.

Raportet u paraqitën nga zyra e prokurorisë për krimet e luftës, të cilat i morën ato nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë.

Oficerët e Ushtrisë Serbe Pavle Gavriloviq dhe Ranko Kozlina janë në gjyq për vrasjen e 27 personave përfshirë të moshuar dhe një djalë katër vjeçar gjatë sulmit në Tërnes më 25 mars 1999.

Gavriloviq akuzohet për urdhërimin e sulmit dhe se ka thënë “nuk duhet të ketë të mbijetuar”, sipas aktakuzës.

Një komandant i një njësie në Brigadën 549 të Ushtrisë Jugosllave, Gavriloviq thuhet se i ka ndarë burrat e tij në tre grupe, ku Kozlina ishte pjesë e një prej këtyre tre grupeve dhe i ka urdhëruar ata të hyjnë në fshat dhe ta spastrojnë etnikisht zonën.

Kozlina, së bashku me tre ushtarë të tjerë, hapën zjarr mbi 18 civilë, përfshirë gratë dhe fëmijët, duke vrarë 16 prej tyre, pohon aktakuza.

Ajo pretendon gjithashtu se civilë të tjerë u qëlluan në disa shtëpi të tjera në fshat.