Ish-studentët peng i ‘mosmarrëveshjes’ mes  ‘AAB’-së dhe MAShT-it për vulosjen e diplomave

Më shumë se 15 studentëve të Kolegjit AAB të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor në Departamentin e Gjuhës Angleze në gjeneratën 2015/2016, nuk po u vulosen diplomat.

Ministria e Arsimit dhe Kolegji në fjalë po ia lënë fajin njëri-tjetrit për kët situatë.

Ish-studentja e këtij departmenti në Kolegjin AAB, L.P., thotë për KALLXO.com, se për shkak të mos verifikimit të diplomave, nuk kanë mundur të aplikojnë për vazhdimin e studimeve jashtë vendit.

“Vitin e kaluar kam bërë plane për ta vazhduar nivelin e masterit jashtë vendit. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar kam zbuluar se nostrifikimi i diplomave nuk po bëhet për gjeneratën tonë. Nostrifikimi i diplomave është ndër kushtet kryesore për mundësinë e studimit jashtë vendit”, thotë ajo.

E diplomuara shton se vazhdimisht janë ankuar si në kolegj, ashtu edhe në ministri.

“Prej muajit shtator jemi duke shkuar sa në AAB, sa në Ministri të Arsimit. Kemi bërë edhe kërkesë tek Ministria e Arsimit. Askush prej tyre nuk e ka marrë parasysh kërkesën tonë. Shumica e studenteve nuk kanë njohuri për këtë problem dhe kjo është një nga arsyet që kemi pas dëshirë me e bo publike këtë çështje”, thotë L.P., duke paralajmëruar edhe procedurë ligjore kundër të dyja palëve, nëse nuk u zgjidhet problemi.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për këtë problematikë të studentëve e ka fajësuar Kolegjin AAB.

Kumrije Gagica, udhëheqëse e Divizionit për Njohje dhe Barazvlerë të Diplomave në Qendrën Kombëtare për njohjes të diplomave, e cila vepron në kuadër të MASHT-it, tha për KALLXO.com, se rasti i ish-studentëve, ka të bëjë me vulosjen e diplomave për vitin akademik 2015/2016.

“Sipas raportit të Departamentit të Arsimit të Lartë, kolegji AAB për vitin 2015/2016 nuk e ka dorëzuar kopjen fizike të librit amëz në MASHT sipas afateve të përcaktuara me UA. Kjo çështje kohë më parë është ngritur nga Departamenti i Arsimit të Lartë, ku më pas nga kabineti i Ministrit është ngritur një komision i cili do të merret me këtë çështje dhe në momentin që merret një vendim nga ana e këtij komisioni, atëherë NARIC do të veprojë sipas atij vendimi”, thuhet në përgjigjen e Gagicës.

Sipas saj, NARIC bën vetëm vulosjen e diplomave të kolegjeve private që nga muaji tetor 2018 e cila procedurë para kësaj date ka qenë e Departamentit të Arsimit të Lartë.

“Çështja e arsimit të lartë privat ka të bëjë me departamentin e arsimit të lartë”, sqaron zyrtarja.

Ndërkaq, Kolegji AAB në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se, çdo vit brenda afatit ligjor i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj MAShT.

“Diplomat e lëshuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë nuk vulosen nga MASHT por vetëm nga institucioni, sepse nga viti 2014 MAShT ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ që parashihte vulosjen e diplomave nga MAShT ngase kjo është procedurë e brendshme e institucionit”, thuhet në përgjigjen e këtij kolegji.

AAB-ja, ndërkaq ka mohuar se ka pranuar ankesa nga ish-studentët lidhur me këtë çështje.

“Zyra jonë për përkujdesje për studentët e diplomuar, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ndonjë i diplomuar i yni. Ne do të kontaktojmë sot me MAShT për të parë se për çfarë rasti bëhet fjalë dhe pas përgjigjes së tyre, do të mund t’ ju japim përgjigjen e kërkuar”, vijon përgjigja e kolegjit, me datë 8 shkurt 2019.

 

 

 

 

ETIKETA

12 Shkurt 2019 - 11:43

Emirjeta Vllahiu 12/02/2019 - 11:43
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend