Shpallja e aktgjykimit ne rastin e Zylfije Halilit

Ish-shefja e prokurimit në spitalin rajonal të Mitrovicës lirohet nga akuza

Në mungesë të provave Gjykata Themelore e Mitrovicës ka marr aktgjykimin lirues ndaj Zylfije Halili, udhëheqëse e Zyrës së Prokurimit në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Gjykatësi Tomislav Petroviq e ka dhënë një arsyetim të shkurt lidhur me arsyet që sipas tij kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

Petroviq ka thënë se gjykata ka vendosur që Zyflije Halili të lirohet nga përgjegjësia penale, pasi nuk është gjetur se ajo ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Zylfije Halili, akuzohej nga Prokuroria e Mitrovicës se në cilësinë e Udhëheqëses në zyrën e prokurimit në Spitalin rajonal në Mitrovicës, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas akuzës Halili kishte pasur qëllim që personit të tretë t`i sjell dobi pasurore.

Këtë ajo e kishte bërë përmes një tenderi për mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve për nevojat e Spitalit Rajonal – Mitrovicë, me ç’rast kishte shpërblyer me kontratë Operatorin ekonomik “AS Geni Auto”, me pronar Xhevdet Bejtullahun, i cili kishte ofruar çmimin prej 13.356.00 euro.

Ky operator nuk kishte ofruar çmime normalisht të ulëta për disa pjesë të caktuara të veturave.

Sipas ligjit për prokurimin publik Zylfije Halili akuzohej se ishte dashur që të dërgoj kërkesë me shkrim dhe të kërkojë shpjegime nga operatori ekonomik “Geni Auto “ për këto çmime, por këtë ajo nuk e kishte bërë.

Ndërsa në qershor të 2014 lidh kontratë në mes të Spitalit rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” dhe operatorit “AS Geni Auto”.

Me këtë Zylfije Halili akuzohej se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzë nga e cila u lirua nga Gjykata.