Gjykimi ndaj ish sekretares së MTI-së Eliana Naka - 22.03.2019

Ish sekretarja e MTI-së, në rigjykim mohon fajësinë për konflikt interesi

Ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Eliana Naka e akuzuar për veprën penale, konflikt interesi në rigjykim nuk e ka pranuar fajësinë, dhe ka kërkuar që të lirohet nga akuza.

Në seancën e sotme pasi hoqi dorë nga leximi i aktakuzës, më pas nuk e pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohet. Kur i erdhi radha të jap mbrojtjen e saj, ajo shfrytëzoi të drejtën ligjore të mbrohet në heshtje, duke mbetur pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Prokurori i shtetit Rafet Halimi në fjalën hyrëse të tij deklaroi se me provat e propozuara në aktakuza, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarës Eliana Naka.

Mirëpo kundërshtime pati nga ana e mbrojtjes, avokati Tahir Rrecaj tha se këto prova ishin të keqinterpretuara nga ana e Prokurorisë, nga se asnjë nga to nuk ishin prova fajësuese.

Sipas tij trupi gjykues duhet të vlerësoj nëse e akuzuara Naka kishte ndonjë interes personal, familjar apo biznes privat në këtë OJQ, pasi në bazë të provave që i ka prezantuar Prokuroria, këtë OJQ e ka themeluar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ku në këtë ministri Naka kishte pasur pozitën e sekretares.

Më pas avokati Rrecaj i propozoi Gjykatës si provë rrethanore të prezantohet opinioni ligjor i Departamenti Ligjor të MTI -së, ku sipas tij vërtetohet mënyra e themelimit të OJQ-së si dhe vendimet e MTI-së me të cilën Naka nga MTI-ja ishte emëruar anëtare e Bordit.

Ndërsa në fjalën përfundimtare, prokurori Halimi ka kërkuar që e akuzuara Eliana Naka të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, pasi që sipas tij nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte vërtetuar se ajo kishte kryer veprën penale.

Kurse avokati Tahir Rrecaj, ka kërkuar që e akuzuara Naka të  lirohet nga akuza, pasi sipas tij Prokuroria me asnjë provë nuk kishte vërtetuar se Eliana Naka kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 26 mars.

https://kallxo.com/lirohet-nga-akuza-ministri-valdrin-lluka/

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në dhjetor 2018.

Kurse Gjykata e shkallës së parë, në korrik 2018, të akuzuarën Eliana Naka e kishte shpallur fajtore për konflikt interesi dhe e kishte dënuar me 7.000 euro gjobë.

Në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka,  i cili ishte liruar nga akuza, ku edhe Apeli e kishte vërtetuar pafajësinë e tij.

Sipas Apelit, për të akuzuarën Eliana Naka, gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare me të cilën është  shpallur fajtore për veprën penale të konfliktit të interesit.

Gjykata e  Apeli thekson se Gjykata e shkalla e parë, nuk ka dhënë asnjë fakt vendimtar se e akuzuara Naka ka pasur ndonjë privilegj apo dobi të çfarëdo lloji për veti apo tjetrin dhe se a ka marr pjesë në vendimmarrjen në fjalë, andaj, sipas Apelit të gjitha këto kanë mbetur të pasqaruara.

Sipas aktakuzës Eliana Naka akuzohet për konflikt të interesit, ku si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e bordit.

Ndërsa Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014, ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.