Ish-sekretari i PDK-së rizgjidhet në bordin e Ujësjellësit

Edhe anëtari i gjashtë i bordit të Ujësjellësit “Prishtina”, ka të kaluar politike të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Amir Gashi që ka qenë kryesues i bordit në mandatin e kaluar, tash është zgjedhur vetëm anëtar bordi. E kaluar e tij është e lidhur me PDK-në.

KALLXO.com në vitin 2016 ka raportuar se Gashi ishte parë në atëkohë në një foto me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj po ashtu edhe në faqen zyrtare shkruante që Amir Gashi ushtronte funksionin e sekretarit organizativ të degës së PDK-së në Prishtinë.

Gashi në atë kohë kishte thënë se fotot datonin nga viti 2012. PDK-ja asnjëherë ka dhënë përgjigje se kur është dorëhequr Gashi. Ai vazhdon të insistoi se nga PDK-ja ishte larguar në vitin 2012.

“Unë ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së që nga viti 2012, sepse kur janë mbajtur atë kohë zgjedhjet e Këshillit Drejtues nuk jam zgjedhur. Tani nuk jam as aktivistë”, tha Gashi për KALLXO.com.