Ish-Prokurori: Vuçiq dhe Amerikanët Janë Njoftuar Kush e Pengoi Lëndën Bytyqi

Vlladimir Vukçeviq, ish- prokurori për krime lufte i Serbisë foli rreth hetimeve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi për Gazetën “Danas”, pasi të enjten në Emisionin “Jeta në Kosovë” u shfaq intervista me Ivan Pajiqin, dëshmitarin e vrasjes së njërit prej këtyre vëllezërve.

Vukçeviq tha për “Danas” se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është informuar kush pengoi çuarjen deri në fund të hetimeve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Vukçeviq tha se edhe amerikanët e dinë këtë gjë.

“Ne siguruam prova relevante, por [hetimi] nuk përfundoi jo me fajin tonë, por fajin e të tjerëve. Këtë ia kam thënë edhe Presidentit Vuçiq, këtë e dinë edhe amerikanët, por nuk do të shpjegoj më shumë, pasi kjo lëndë është gjallë”, tha Vukçeviq.

Ai tregoi më tutje se u ka treguar Vuçiqit dhe amerikanëve kush minoi hetimet.

“U kam treguar atyre kush na e pamundësoi t’i shkojmë hetimit deri në fund, por për këtë Prokuroria për Krime Lufte nuk është fajtore. Edhe këtë ua kam thënë, respektivisht kush na minoi, pasi ky proces ishte para përfundimt6”, tha Vukçeviq.

Sipas Vukçeviqit, prokurori Dragoljub Stankoviq dëgjoi gati 400 persona në këtë hetim.

“Ju shikoni se për çfarë pune bëhet fjalë”, tha Vukçeviq.

“Nuk them se hetimi u pamundësua, por ne në këtë lëndë kemi vënë energji të madhe”, tha Vukçeviq.

Në Emisionin “Jeta në Kosovë” të transmetuar të enjten, dëshmitari i vrasjes së njërit nga vëllezërit Bytyqi, Ivan Pajiq tha se pa që ai u qëllua pas qafe, ndërsa të pranishëm dhe të armatosur gjatë kësaj vrasjeje e identifikoi kolonelin e atëhershëm të forcave speciale të Serbisë Goran Radosavleviq- “Gurin”.

Por në intervistën për “Danas”, ish-prokurori Vukçeviq tha se Pajiq është marrë në pyetje, por dëshmia e tij nuk është konsideruar e besueshme.

“Nga dëshmia e Pajiqit nuk kemi mundur të nxjerrim asgjë. Ai tregoi që ishte dëshmitar. Ne e verifikuam deklaratën e tij dhe e zumë në rrenë dhe vlerësuam që nuk është deklaratë kredibile dhe nuk përputhej me provat tjera që kishim”, tha Vukçeviq.

Por ai tregoi për “Danas” se edhe Goran Radosavleviq- “Guri” ishte dëgjuar gjatë hetimit.

Emisionin “Jeta në Kosovë” me intervistën e dëshmitarit Pajiq mund ta ndiqni në vijim.

Tre vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, si pjesë e Brigadës “Atlantiku”, që përbëhej kryesisht nga kosovarë shtetas amerikanë dhe të vendeve të Evropës Perëndimore.

Pas përfundimit të luftës, të tre vëllezërit po i dërgonin fqinjët e tyre romë për siguri në Kralevë të Serbisë kur u zhdukën. Trupat e tyre u gjetën në një varrezë të pashënuar në vitin 2001.

Kjo vrasje e pazgjidhur vazhdon të jetë një çështje e vazhdueshme mes ShBA-së dhe Serbisë, edhe pse presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq ka premtuar se rasti do të zgjidhet.

Edhe dje KALLXO.com shkroi për jehonën që deklaratat e Ivan Pajiqit kanë bërë në mediat serbe.

http://kallxo.com/jehona-e-deklarates-se-ivan-pajiqit-ne-mediat-serbe/