Ministri Valdrin Lluka në mes të dy kolegëve të tij - Foto: Atdhe Mulla

Ish-ministri i MTI-së flet për privatizimin e Telekomit, thotë se nuk ia dhanë listat e punëtorëve

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se Telekomi i Kosovës po shkatërrohet qëllimshëm në mënyrë që të privatizohet, duke shtuar se sa ishte ministër kishte kërkuar listat e punëtorëve në këtë ndërmarrje, por ato nuk i ishin dhënë.

“Po ashtu kam kërkuar që të sillet lista e të punësuarve në Telekom sepse aty ka njerëz që mbajnë pozita shtetërore dhe janë edhe në listën e Telekomit që marrin pagë. Ofrimi i listave është kundërshtuar ashpër. Përderisa listat nuk na jepeshin aty vazhdonte të rritej numri i punëtorëve. Vetëm brenda një muaji janë punësuar rreth 200 punëtorë. Ky është një tregues se Telekomi po shkon qëllimshëm drejt shkatërrimit vetëm që të privatizohet apo për të iu falur ndonjë kompanie”, ka shkruar ai në Facebook.

Hasani ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Komisionit ndërministror, si ministër i MTI-së, kishte propozuar që të hartohet një plan strategjik se si të dilet prej krizës financiare.

“Telekomi i Kosovës në vazhdimësi pësonte humbje të mëdha. Atë kohë kam kërkuar nga bordi dhe kryeshefi që të hartohet një plan konkret për të dalë nga kriza. Unë kam propozuar: zvogëlimi i shpenzimeve (qiraja) dhe zvogëlimi i pagave të punëtorëve, pse jo edhe numri”, ka shtuar ai..

Sot KALLXO.com shkroi se si Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në takim me koordinatorin përgjegjës të Qeverisë gjermane për çështje dhe marrëdhënie transatlantike, Peter Beyer, folën  rreth ndërmarrjeve publike me theks të veçantë Telekomin dhe synimet e Qeverisë së Kosovë për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

https://kallxo.com/lluka-njofton-zyrtarin-gjerman-rreth-synimeve-per-privatizimin-e-telekomit/