Ish-ministri i Limajt tregon arsyet pse u rreshtua përkrah Haradinajt

Ish ministi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka njoftuar sot se është bërë pjesë e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një postimit në facebook, Hasani ka sqaruar arsyet pse është bërë pjesë e partisë AAK.

“Prej sot rrugëtimin politik bashkë me bashkëpunëtorët e mi do ta vazhdoj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sjellja korrekte dhe bashkëpunimi i mirë gjatë kohës sa kam qenë ministër i kabinetit të Ramush Haradinajt por edhe bashkëpunimi në kohën sa ka qenë në opozitë më kanë shtyrë që t’i bashkëngjitem partisë që ai drejton”, ka shkruar Hasani në postimin e tij në facebook.

“Do të jetë nder për mua të vazhdoj bashkëpunimin me njeriun që dha aq shumë për këtë vend. Do të jetë nder të rrugëtoj me njeriun e taksës, ushtrisë e mbrojtësin e sovranitetit të Kosovës. Faleminderit për pritjen e ngrohtë në AAK. Do të vazhdoj të punoj si deri më tani për të mirë e njerëzve të mi”, ka përfunduar Hasani.

KALLXO.com raportoi më herët se Hasani është bërë pjesë e AAK-së.