Bajram Hasani, NISMA,Gjilan

Ish-ministri Bajram Hasani në AAK

Ish- ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani i cili u shkarkua nga kjo pozitë nga partia “Nisma”, është bërë pjesë e Aleancë për Ardhërminë e Kosovës.

Bajram Hasani mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, deri në shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte shkarkuar nga Partia NISMA, e cila është në koalicion qeverisës me partinë AAK.

“Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkuan sot ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, profesoresha Anila Tusha-Kastrati, Abdyl Brestovci, ekonomist i shquar dhe Burhan Arifi, stomatolog i njohur”, njofton AAK.

“Interesimi për t’iu bashkuar vizionit të AAK-së për shtetin e fortë, është i jashtëzakonshëm dhe kjo na inkurajon që të punojmë pandalshëm në shërbim të vendit. Të sapoaderuarit, profesionistë të respektuar, i falënderova për besimin duke iu uruar që përvojën politike ta shfrytëzojnë më së miri në familjen e madhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të mirë të qytetarëve të Gjilanit, Anamoravës dhe tërë Kosovës”, ka thënë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë takimit.

KALLXO.com ka raportuar muajin e kaluar për dorëheqjen e Bajram Hasanit nga “Nisma”, i cili kishte thënë se kur i ishte bashkuar NISMA’s, nuk kishte kursyer asgjë, as financiarisht.

“Ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi. Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës”, kishte thënë Hasani.