Dënimi i ish-ministrave | Foto: KALLXO.com

Ish-Ministrat Përsëri Dënohen me Kusht

Astrit Haraqija e Valton Beqiri u dënuan me nga një vit burg me kusht për shpërdorim detyre.

Dënim i njëjtë- nga një vit burg me kusht iu shqiptua nga gjykata  për mashtrim në detyrë edhe producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza.

Haraqija, Beqiri, Morina e Fejza mund të shkojnë në burg në vuajtje të dënimit nëse brenda dy vjetëve kryejnë vepër tjetër penale.

Gjykata në Prishtinë përveç dënimeve me kusht, obligoi Armond Morinën t’ia kthejë Ministrisë së Kulturës 100 mijë euro, ndërsa Nehat Fejza duhet t’ia kthejë kësaj ministrie 188 mijë euro.

Vendimin e gjykatës e komentoi pas shpalljes ish-ministri Astrit Haraqija.

“Unë e respektoj vendimin, por këto janë lojëra politike. Por ata nuk do të mund të më ndalin,” tha Haraqija.

Aktakuza ndaj këtyre katër personave lidhet me mbështetjen që si ministra kulture Haraqija e Beqiri  u bënë filmave “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës” të producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza.

Ish-ministrat e Kulturës Astrit Haraqija e Valton Beqiri në dhjetor të vitit të kaluar u dënuan me nga 10 muaj burg me kusht, producenti filmik Armond Morina me 6 muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza u shpall i pafajshëm.

http://kallxo.com/denime-me-kusht-per-ish-ministrat-e-kultures/

Por Gjykata e Apelit në qershor të këtij viti vendosi që rastin e ish-ministrave dhe producentëve ta kthejë në rigjykim, pasi sipas saj themelorja në Prishtinë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare me të cilat shpalli vendimin e vitit të kaluar.

http://kallxo.com/kthehet-ne-rigjykim-rasti-ish-ministrave/