Slobodan Karagiq (djathtas). Foto: Gjykata e Bosnjës

Ish-luftëtari serb i Bosnjës dënohet për përdhunime dhe arrestime të paligjshme

U la në fuqi në gjykatën e apelit dënimi ne 12 vjet burg për Slobodan Karagiqin për krime kundër civilëve në zonën e Dobojit në vitin 1992, përdhunim të dy të miturave dhe arrestime të paligjshme të boshnjakëve.

Dhoma e apelit e gjykatës shtetërore të Bosnjës në Sarajevë të enjten la në fuqi vendimin për Slobodan Karagiq dhe konfirmoi dënimin e tij me 12 vjet burg.

Karagiq u shpall fajtor për përdhunimin e dy femrave të cilat ishin të mitura në atë kohë dhe për pjesëmarrje në arrestimet dhe ndalimin e paligjshëm të tre burrave boshnjakë, duke vepruar më vete apo së bashku me të tjerë.

Vendimi tha se në korrik dhe gusht 1992, Karagiq dhe Predrag Kujunxhiq, i cili u shpall fajtor në një vendim më vete, morën një nga të miturat nga Radio Doboj dhe e çuan në një shtëpi në fshatin Bare, ku e përdhunuan dhe e torturuan, duke futur sende të ndryshme në organet e saj gjenitale.

Ai gjithashtu tha se Karagiq e përdhunoi viktimën e dytë në Qendrën e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Doboj. Viktima i tha Karagiqit se ajo ishte 15 vjeçe, tha gjykata.

Karagiq i kreu krimet si një anëtar dhe komandant i njësisë speciale Beretat e Kuqe dhe më vonë si një anëtar i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, sipas vendimit.