Ramadan Muja ne Seance Gjyqesore

Ish kryetari i Prizrenit Ramadan Muja Sot Para Gjyqit në Gjilan

 

Sot në Gjykatën Themelore të Gjilanit do të vazhdojë gjykimi i ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, dhe ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Muja dhe zyrtarët e ish-zyrtarët tjerë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprat të cilat ju vihen në barrë.

http://kallxo.com/muja-nuk-kam-kryer-veper-penale-por-veper-humane/

Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj gjykate Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.
Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Gjatë ditës së djeshme Ramadan Muja i dorëzoi detyrën e kryetarit të komunës tanimë kryetarit të ri të Prizrenit Mytaher Haskukës.