Prizreni. Foto: KALLXO.com

Ish-kryetari i Prizrenit del nesër para gjyqit në Gjilan

Në Gjykatën e Gjilanit do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj Komune, të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Në seancën e  kaluar e kishin dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit Ramadan Muja dhe Minir Krasniqi, si dhe ishin lexuar procesverbalet e lëndëve civile, të cekura si në shkresat e lëndës.

Ndaj leximit të këtyre procesverbaleve kishin paraqitur kundërshtimet e tyre avokatët mbrojtës të të akuzuarve Ramadan Muja dhe Minir Krasniqi.

Sipas informatave të siguruar nga KALLXO.com në gjykimin e nesërm pritet të vazhdohet me marrjen në pyetje të të akuzuarve të tjerë.

Muja dhe të tjerët akuzohen se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ramadan Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

https://kallxo.com/supremja-kthen-ne-apel-vendimin-per-ramadan-mujen/

Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj gjykate Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

https://kallxo.com/ramadan-muja-te-gjykohet-ne-gjilan/

Po ashtu duhet theksuar se në njërën prej seancave të kaluara gjyqësore, Gjykata kishte ndaluar filmimin e fytyrave të të akuzuarve në këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, me  aktvendim i ndaloi mediat që të filmonin fytyrat e të akuzuarve me arsyetimin se ata ende janë të pafajshëm deri në momentin që shpallet aktgjykimi dhe dëshmohet e kundërta.

https://kallxo.com/gjykata-ndalon-filmimin-e-fytyrave-te-ramadan-mujes-dhe-te-tjereve/

www.kallxo.com