Foto: Kallaxo.com

Ish-kryetari i komunës kërkon pafajësinë, prokurori ia kërkon dënimin

Sot në gjykatën e Gjilanit, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarëve Sasha Mirkoviq ish kryetar i komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq kryetar i kuvendit komunal në këtë komunë, të cilët po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirkoviq dhe Dejanoviq po akuzohen nga Prokuroria se kanë keqpërdorur pozitën e tyre kur i kanë dhënë për shfrytëzim Banjës ‘Nëna Naile’ në Kllokot një ngastër me qira.

Procesi gjyqësor  vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve, ku mes tjerash, prokurori i shtetit Arben Ismajli dhe mbrojtësit e të akuzuarëve në fjalë,avokati Fahredin Ymeri dhe Jehona Sylejmani, njoftuan trupin gjykues se fjalët e tyre përfundimtare i kanë përgaditur dhe i dorëzojnë me shkrim,duke njoftuar që këto shkresa, të konsiderohen si pjesë e procesverbalit gjyqësor.

Kështu, duke e elaboruar në pika të shkrurtëra fjalën e tij, Prokurori i shtetit Arben Ismajli, tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues që e përfaqëson dhe se, si nga gjendja faktike, por edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe provave materiale të shqyrtuara në këtë gjykim, vërtetohet se të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen. Prokurori Ismajli, i propozoi trupit gjykues që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë e t’u shqiptohet një dënim meritor sipas ligjit.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sasha Mirkoviq, avokati Fahredin Ymeri, deklaroi para trupit gjykues që mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare, të cilën e dorëzoi me shkrim para trupit gjykues.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Zharko Dejanoviq, avokatja Jehona Sylejamani, deklaroi para trupit gjykues se nuk ekziston asnjë provë e vetme, si nga gjendja faktike por edhe nga dëgjimi i dëshmitarëve si edhe provat e paraqitura në këtë gjykim, nuk dëshmojnë se i mbrojturi i tij ta ketë kryer këtë vepër penale. Avokatja Sylejmani, i propozoi gjykatës që të mbrojturin e saj ta lirojë nga akuza në mungesë të provave.

Kurse të akuzuarit Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejanoviq, në fjalët e tyre përfundimtare deklaruan se mbështesin në tërësi deklarimet e mbrojtësve të tyre, të dorëzuara me shkrim si dhe të elaboruara sot gjatë seancës, duke deklaruar që nuk janë fajtorë për veprat penale që akuzohen dhe se propozuan që trupi gjykues ndaj tyre të marrë aktgjykim lirues.

https://kallxo.com/te-akuzuarit-per-dhenien-e-tokes-komunale-banjes-nena-naile-deklarohen-rreth-fajesise/

Trupi gjykues që përbëhet nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, Zyhdi Haziri e Boban Aleksiq anëtar, njoftuan që shpallja e vendimit përfundimtar për këtë rast do të bëhet më datë 29 nëntor 2018.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arben Ismajli thuhet se  Sasha Mirkoviq, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Kuvendit komunal të Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personin Dardan Novosella, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, sepse, pa i përfillur procedurat ligjore, kanë nxjerrë vendimin për t’ia dhënë në shfrytëzim – qera një ngastër kadastrale me sipërfaqe 22.56m katror për periudhë 10 vjeçare, Q.M.F.R, “Banja Nëna Naile” në Kllokot, pronë e Dardan Novosella, në shume prej 550 euro, për të cilën më 15.05.2013, nuk është paguar dhe inkasuar qiraja. Aktakuza thotë se në këtë mënyrë buxhetit të komunës së Kllokotit i është shkaktuar dëm material prej 7,700 euro.