Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues në UP, rast të hapur në Agjencinë Kundër Korrupsion

Ardiana Bunjaku, Ish-kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’,  ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë ditë më parë.

Ajo ishte bërë subjekt i hetimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit lidhur me konflikt të mundshëm interesi.

Agjencia për KALLXO.com tregoi se rasti është në procedurë.

“Ju informojmë se AKK ka hapur procedurë për zyrtaren e apostrofuar nga ju, dhe shumë shpejt  po besoj javën e ardhshme do dalim me vendim/opinion rreth këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Sipas kësaj agjencie procedura e nisur kishte të bënte me  mospërputhjen e dy pozitave që mbante kjo zyrtare.

Ajo ishte pjesë e Këshillit Drejtues në UP dhe  drejtoreshë në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).

Vetë Bunjaku nuk ka qenë e qasshme për koment lidhur me këtë çështje dhe për arsyet e dorëheqjes së saj.

Po ashtu, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Të premten, Kryesuesja e tanishme e KD-së së UP-së, Laura Kryeziu tha se dorëheqja e Bunjakut ishte bërë për arsye personale ndërsa tregoi se tanimë është bërë zëvendësimi i saj në Këshill.

Bunjaku ishte emëruar në Këshillin Drejtues të UP-së nga Ministria e Arsimit, në shkurt të vitit 2018.

https://kallxo.com/ministri-emeron-tri-gra-ne-keshillin-drejtues-te-se/