Foto: KALLXO.com

Ish-kryesuesi i Asamblesë dhe ish-drejtori i Kadastrit në Rahovec nuk i kanë kthyer lap-topët e Komunës

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Nahit Elshani dhe ish-drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Kujtim Popaj, nuk i kanë kthyer lap-topët që janë asete të Komunës së Rahovecit pas përfundimit të mandatit në janar të këtij viti, kështu thuhet në një përgjigje dhënë për KALLXO.com nga ana e komunës.

KALLXO.com pasi ka pranuar një informatë nga një Kallxues se dy ish-zyrtarë nuk i kanë kthyer pajisjet (Lop-topët) ka kontaktuar me Nahit Elshanin ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit dhe ish drejtorin e Kadastrit Kujtim Popaj.

Por, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se e ka kthyer lap-topin menjëherë pasi e ka përfunduar mandatin.

“Po e kam kthyer laptopin në Komunë, në servis aty poshtë e kam kthyer menjëherë pasi e kam përfunduar mandatin”, ka thënë Elshani.

Por, ndryshe thuhet në përgjigjet e shefit të kabinetit të kryetarit Smajl Latifi, Veli Gashi. KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Rahovecit rreth kthimit të pajisjeve elektronike nga ish zyrtarët e saj e të njëjtin e kanë konfirmuar se Elshani dhe as Popaj nuk i kanë kthyer pajisjet.

“Ish kryesuesi i kuvendit, Nahit Elshani  dhe ish drejtori i Gjeodezisë, Kujtim Popaj nuk i kanë kthyer laptopët. Sa i përket donacionit të dhuruar nga Banka Botërore për drejtorinë e Gjeodezisë ato asete janë regjistruar nga anëtarët e komisionit nga Komuna jonë”, ka konfirmuar Veli Gashi, Shef i Kabinetit të Kryetarit, Smajl Latifi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, ish drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Kujtim Popaj, i cili në janar mbush një vit që kur e ka përfunduar mandatin si udhëheqës i kësaj drejtorie, e ka pranuar se nuk e ka kthyer lop-topin.

Popaj këtë pajisje e kishte marrë pasi Banka Botërore i kishte dhënë donacion në vlerë prej 21 mijë e 600 euro kësaj drejtorie përmes Agjencisë për Kadastër të Kosovës.

“Unë ende nuk e kam kthyer, por e kthej, nuk është problem, nuk e kam kthy se me duket se ata të Bankës ma kanë pas dhanë mu, kështu si bakshish, por të hënën do ta kthej, nuk është ai problem”, ka thënë Popaj për KALLXO.com.

Komuna e Rahovecit ka kërkuar vetëm nga ish-kryesuesi i Kuvendit ta kthejë laptopin, ndërsa nuk ka vepruar njëjtë me ish-drejtorin e Kadastrit.

Shef i kabinetit të kryetarit Smajl Latifi, Veli Gashi ka thënë se do të kërkojnë kthimin e lap-topëve nga ish zyrtarët përmes një shkrese zyrtare dhe një afati të caktuar.

“Nënkryetari i Komunës ka biseduar me ish kryesuesin dhe ja ka kërkuar kthimin e laptopit, e me ish drejtorin nuk ka biseduar, edhe pas kësaj nuk e ka kthyer ish kryesuesi, ne do të shohim me zyrtarët ligjor dhe do të ju bëjmë një shkresë përmes Drejtorisë së Administratës dhe do të ju japim një afat ligjor dhe nëse nuk i kthejnë edhe pas kësaj atëherë do të njoftojmë policinë”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

07 Dhjetor 2018 - 15:19

Drenushë Ramadani 07/12/2018 - 15:19
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend