Pamje - Prishtine - 22.12.2018 .

Prishtinë: Banesat e ndara nga LDK shfrytëzohen pa kontratë e pa paguar qira

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se disa ish-këshilltarë të Komunës së Prishtinës dhe disa zyrtarë administrativ po vazhdojnë të jetojnë në banesat e komunës, pa pasur ndonjë kontratë e pa paguar fare qira.

Auditori ka gjetur në 4 raste se këto banesa shtetërore, që supozoheshin se paguajnë qiranë, i kanë komunës 16 mijë e 171 euro borxh dhe janë duke i mbajtur ato pa kontratë për qiramarrje.

ZKA në raportin e saj vjetor për Komunën e Prishtinës thotë se kanë testuar 4 raste të këtyre rasteve dhe kanë gjetur se nuk kanë kontrata.

“Ne kemi testuar katër raste dhe kemi gjetur se këto kontrata kanë skaduar dhe të njëjtat nuk janë vazhduar më. Qiramarrësit vazhdojnë të shfrytëzojnë banesat. Përveç kësaj edhe pse kompensimi ishte minimal pagesa e qirasë nuk ishte bërë në kohë të rregullt dhe figuronin borxhe në vlerë totale 16,171€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna është arsyetuar se ky proces është në fazën e evidentimit të gjendjes aktuale dhe pastaj do të trajtohen sipas ligjit.

Në anën tjetër, auditori e sheh si të rrezikshëm këtë për shkak se e privon nga arkëtimi i të hyrave.

“Shfrytëzimi i pronave komunale me kontrata të skaduara dhe pa to, privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos arkëtimit e të arkëtueshmeve me kohë”, thuhet tutje në raport.

Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti që ta zgjidh këtë çështje sa më shpejtë duke përpiluar kontrata të reja, apo të gjeje edhe forma të tjera, që mundësojnë përdorimin e ligjshëm të pronave.

Auditori tutje sqaron se vendimi për ndarjen e banesave për ish këshilltarët ishte marrë në Kuvendin e Komunës në vitin 2007, Komuna në atë kohë kishte vendosur t’i ndajë 21 banesa për ish këshilltarët. Ndërsa në 2008 Komuna kishte marrë një vendim tjetër për t’i ndarë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorët administrativ.

Përveç banesave, Komuna e Prishtinës i ka edhe mbi 6 hektarë tokë apo të paktën 37 parcela të komunës që shfrytëzohen pa asnjë kompensim ndaj Komunës.

Ndonëse, kjo çështje ishte ngritur edhe vitin e kaluar nga Auditori, Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

Sipas Auditorit, Komuna humb 6 euro në metër katror, apo 360 mijë euro në muaj nga mosinkasimi i këtyre të hyrave.

Auditori i a kërkuar kryetarit që të rishikoj shfrytëzimin e këtyre pronave dhe të nënshkruar marrëveshje me bizneset/shfrytëzuesit për marrjen e kompensimit, qoftë përmes qirasë apo formave të tjerë ligjore.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të auditimit për Komunën e Prishtinës.