Ish-komandanti i UÇK-së Ismet Tara u intervistua 8 orë nga Gjykata Speciale

Ismet Tara, ish-komandanti i UÇK-së, ka përfunduar intervistimin nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Kështu ka bërë të ditur përmes llogarisë në ‘Facebook’, Enver Shala, shoqëruesi i ish-komandantit në Hagë.

Intervistimi i komandantit ‘Hoxha’ ka zgjatur nga ora 10:00 deri në orën 18:15.

Tara do të merret në pyetje edhe më 6 dhe 7 mars.

Para disa ditëve, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ismet Tara në një prononcim për BIRN, ka thënë se do të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë si një person që është “akuzuar” për krime lufte.

Ismet Tara ka thënë për BIRN, se ai ishte ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e të dyshuarve për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës, 1998-2000.

“Jam ftuar si një person i akuzuar për vepra penale, por ata nuk përmendën cilat raste,” ka thënë Tara për BIRN, raporton KALLXO.com

https://kallxo.com/ish-komandanti-i-uck-se-ismet-tara-niset-per-ne-hage/