Isuf Gashi - Foto: KALLXO.com

Ish-eprori i UÇK-së: U intervistova si i dyshuar (VIDEO)

Për rreth tetë orë, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Gashi, i njohur në kohën e luftës si ‘Baca’, ka qëndruar në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë gjatë ditës së sotme.

Nga ora 9:30 e mëngjesit deri në ora 17:00, ai është intervistuar nga hetues të Gjykatës Speciale.

Vetë Gashi ka folur pas intervistimit, duke treguar se nga Gjykata Speciale është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Jam intervistuar si i dyshuar sot nga Gjykata Speciale” tha Gashi.

Ai ka thënë se UÇK është e pafajshme, dhe këtë ua ka thënë edhe brenda gjatë intervistimit zyrtarëve të Gjykatës Speciale.

“Sot jam intervistuar nga Gjykata Speciale e krimeve të luftës, jemi ballafaquar drejtpërsëdrejti me ngjarjet që janë zhvilluar. UÇK nuk ka bërë krime, ua kam thënë edhe aty, ne jemi faqebardhë”, ka shtuar ish- ushtaraku I Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-eprori i UÇK-së tutje ka thënë se do të vazhdojë intervistimin edhe ditën e nesërme nga ora 9:00, ndërsa ka thënë se është i pafajshëm dhe do të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë që e ka ftuar në intervistim.

“Ju kam ofruar çfarëdo që kanë kërkuar ata. Prej nga themelimi i UÇK-së” tha ai.

KALLXO.com sjell deklaratën e tij të dhënë menjëherë pas intervistimit:

https://kallxo.com/isuf-gashi-i-njohur-me-nofken-baca-intervistohet-sot-nga-gjykata-speciale/

www.kallxo.com