Sllobodan Millosheviq në gjyq në Hagë. Foto: ICTY.

Ish-Drejtori i Burgut Lirohet nga Akuza për ‘Rrëmbim’ të Millosheviqit

Gjykata e Lartë në Beograd të hënën liroi nga akuzat Dragisha Blanusha për rrëmbimin e Millosheviqit dhe për abuzim të postit të tij për fotografimin e ish-presidentit jugosllav ndërsa ai ishte në burg në kryeqytetin serb në vitin 2001.

Sipas akuzave, Blanusha lejoi persona të panjohur ta lëviznin Millosheviqin nga burgu në Beograd më 28 qershor 2001 dhe më vonë ta transportonin atë në Holandë, pa lejen e gjykatës.

Por gjykatësi tha se nuk ishte vërtetuar se Blanusha organizoi transportimin e Millosheviqit nga Beogradi në Hagë pa leje nga gjykata dhe se përdori forcë, raportoi gazeta serbe “Politika”.

Akuzat pohuan se Millosheviqi u dërgua në Tuzla në Bosnjë dhe nga atje u dërgua në Hagë me një avion holandez, por gjykatësi tha se as për këtë nuk kishte prova, kështu që nuk kishte asnjë provë se rrëmbimi kishte ndodhur, shtoi “Politika”.

Blanusha të hënë u lirua gjithashtu nga akuza për publikim të paligjshëm të fotografive të Millosheviqit dhe të informacioneve konfidenciale në lidhje me bisedat e ish-presidentit jugosllav me avokatët dhe të afërmit e tij gjatë kohës që ai mbahej në Burgun Qendror në Beograd.

Fotot e Millosheviqit duke lexuar një libër në qelinë e tij, duke ecur në oborrin e burgut dhe duke hipur në një makinë policie janë botuar në librin e Blanushës “Unë burgosa Millosheviqin” në vitin 2001.

“Do të përpiqem t’i harroj këto 16 vjet dhe gjithçka që më ka ndodhur mua dhe familjes time”, tha ish-drejtori i Burgut për mediat jashtë gjykatës.

“Do të doja t’i jepja një mesazh të gjithë kolegëve të mi të besojnë te shteti, por të bëjnë kujdes. Nuk dua që ata të trajtohen si unë. Rezultoi se një punë në një institucion shtetëror u shndërrua në problemin tim personal”, shtoi ai.

Pasi Millosheviqi u transferua në Hagë për t’u gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Blanusha u shkarkua nga ministri i Drejtësisë Vladan Batiq.

Millosheviq dhe gruaja e tij Mirjana Markoviq ngritën padi kundër Blanushës për abuzim të postit.

Padia u refuzua në vitin 2002, por në vitin 2005 hetimi u rihap.

Millosheviqi vdiq në qelinë e tij në mars 2006, para se të jepej vendimi për gjyqin e tij për krime lufte, por gruaja e tij e vazhdoi çështjen kundër Blanushës.

Avokati i familjes së Millosheviqit, Zdenko Tomanoviq, tha për BIRN të hënën se ai do të apelojë ndaj vendimit të dhënë.

“Gjykata e Apelit do të vendosë për këtë vendim. Mendoj se nuk ka asnjë zyrtar shtetëror që s’mund të bëjë diçka që është kundër ligjit vetëm se politikanë të asaj periudhe i kërkuan të bënte diçka të tillë”, tha Tomanoviq.

Mirjana Markoviq ka jetuar në mërgim në Rusi gjatë 14 viteve të fundit.

Ajo kërkohet nga prokuroria në Serbi, por Moska ka refuzuar ta dërgojë atë në Beograd që të përballet me akuzat.