Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Ish-Drejtori i Arsimit i Plotësoi Normën Bashkëshortes

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të transmetuar të premten, u zbulua se në kohën kur Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë e udhëhiqte Pajazit Hajzeri, gruas së tij Arberina Hajzeri iu plotësua norma.

Arberina Hajzeri punonte në Shkollën “Fazli Grajçevci” në Shipol të Mitrovicës me normë jo të plotë, ndërsa norma iu plotësua me orë tjera në Shkollën e Mjekësisë.

Gani Rama, drejtor i Shkollës së Mjekësisë në Mitrovicë tha për “Drejtësia në Kosovë” se u befasua kur gruaja e tash ish-drejtorit të Arsimit erdhi për të punuar në këtë shkollë.

“Unë e kam bërë kërkesën për pedagog dhe ai e ka pru gruan e tij dhe unë konsideroj që gjë të keqe nuk ka në këtë drejtim, mirëpo ka mujt me kanë dikush tjetër, jo gruaja e tij”, tha Rama.

Arberina Hajzeri tha se nuk u punësua në Shkollën e Mjekësisë, por vetëm plotësoi normën.

“Unë jam punësuar në arsim në vitin 2009 dhe kohën e fundit kam qenë duke punuar me gjysmë norme. Në kohën sa burri im ka qenë drejtor, Drejtoria e Arsimit më ka thënë që ta plotësoj normën edhe në Shkollën e Mjekësisë, pasi që kjo shkollë ka kërkuar pedagog”, tha Arberina Hajzeri.

Ish-drejtori i Arsimit Pajazit Hajzeri deklaroi se nuk ka shkelje ligjore te plotësimi i normës së bashkëshortes së tij.

“E vërteta e gruas sime është se ajo punon që nga viti 2009 ne arsim. në Shkollën e Mjekësisë ka qenë një plotësim norme apo edhe pajisja e një shkolle me pedagog që ka munguar”, tha Hajzeri.

Vetë Hajzeri në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” tregoi për disa parregullsi në lidhje me punësimet në Mitrovicë.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri tha se gruas së ish-drejtorit do t’i merren orët në Shkollën e Mjekësisë.

“Gruaja e tij ka qenë në shkollën e Shipolit e cila i ka 1150 nxënës dhe tash ka kaluar për 8 orë edhe në Shkollën e Mjekësisë dhe pastaj e ka bë që 16 orë t’i ketë në Shkollën e Mjekësisë dhe 4 orë në Shipol. Kjo është e kundërligjshme dhe si e tillë duhet të kthehet qysh ka qenë”, tha Bahtiri.

Deklaratat për vazhdimin e normës së gruas së ish-drejtorit të Arsimit në Mitrovicë mund t’i ndiqni në linkun në vazhdim.