Seanca gjyqësore ndaj Ajmane Berani/ FOTO KALLXO

Ish-Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë deklarohet e pafajshme në Gjykatë

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e ish-drejtoreshës se Arsimit në këtë komunë.

E pandehura Ajmane Berani u deklarua se nuk e ndien veten fajtore lidhur me akuzën që i vihet në barrë, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani.

Ndryshe Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Ajmane Beranin, ish- drejtoresh e Arsimit në Mitrovicë se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Në aktakuzë pretendohet se Berani me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore i ka shkaktuar dëm personit tjetër, tani të dëmtuarës Mirdona Istrefi.

Sipas aktakuzës së ngritur në fund të vitit të kaluar tani e akuzuara nuk e ka përfillur vendimin e komisionit për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“ në Mitrovicë lidhur me konkursin plotësues që ishte shpallur në dhjetor të vitit 2014.

Në këtë vendim komisioni kishte vendosur për pranimin në punë të kandidates Mirdona Istrefi, ndërsa në vendin e saj tani e pandehura ka pranuar një kandidate tjetër.

“Berani me këtë ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzë.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë kishte rekomanduar që të shpallej konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, mirëpo e pandehura nuk kishte vepruar sipas këtij rekomandimi.

Ndryshe, Ajmane Barani në shtator të vitit 2015 së bashku më gjashtë drejtorë të tjerë komunalë ishte shkarkuar për shkak të performancës së dobët, shkak i së cilës ishte edhe prishja e koalicionit të atëhershëm.

Ndërsa më vonë ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në gjimnazin “Frang Bardhi“, pozitë të cilën e mban edhe sot.