Ish-arkëtarja e FINCA-s thotë se nuk ka dijeni se mori 23 mijë euro

Në gjykimin e Merita Shehut, ish-arkëtare e degës së institucionit mikrofinanciar “FINCA” në Rahovec, e akuzuar për përvetësim të mijëra eurove, u bë shikimi i CD-ve (kamerave) të vendit të ngjarjes.

Në seancë u panë xhirimet në të cilat prokuroria pretendon se e akuzuara ishte duke hapur arkën.

Në një pjesë të kamerës u shikua vetëm pjesa mbrapa e të akuzuarës saktësisht vetëm flokët dhe asnjë person tjetër, për shkak se kamerat ishin shumë të paqarta.

Ndërsa Merita Shehu, tha se “hapësira prej derës e deri te kasaforta ka qenë shumë e ngushtë përafërsisht 50cm dhe aty nuk kemi mundur të hyjmë dy veta, por çdoherë unë i kam tërhequr të hollat me udhëheqësin te dera, e cila ka qenë gjithmonë e hapur”.

“Menaxheri më ka pritur që t`i marr ose t`i lë të hollat, ta mbylli kasafortën dhe t`i lë çelësat e arkës tek ai”, tha ajo.

Më pas gjatë leximit të shkresave të lëndës, u lexuan edhe 34 fletëpagesat e klientëve, ndërsa dy prej tyre ishin të kolegut të saj zëvendësues Ymer Paçarizit, i cili kishte dëshmuar ditën e djeshme bashkë me dy kolegë tjerë të të akuzuarës.

Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarës Shehu, avokati Esat Gutaj kishte kërkuar që të angazhohej një ekspert tjetër financiar ngase ekspertiza e ekspertit Ali Shunjaku është e mangët sipas tij, andaj sot trupit gjykues refuzoi propozimin e avokati Gutaj.

Gjykimi vazhdoj nën drejtimin e trupit gjykues të përbërë nga kryetari Shaqir Zika dhe anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, dha mbrojtjen e saj e akuzuara Merita Shehu.

Ajo e kundërshtoi deklaratën e saj të dhënë në Polici, me arsyetimin se ka qenë nën presion, stres dhe nën ndikimin e medikamenteve.

“Dy ditët e fundit unë kam qenë sëmurë dhe kam kërkuar zëvendësim, mirëpo nuk ka pasur punëtorë, edhe kur jam barazuar kam ardhur prej shtëpisë së shëndetit që të barazohem”, tha ajo.

Merita Shehu tha se kur kishte shkuar në Polici kishte takuar një oficer policor, i cili i kishte kërkuar nga ajo që ta pranoj fajin për arsye që mos ta mbajnë në burg.

Mes tjerash ajo tha se gjithmonë ishte vlerësuar me maksimumin e pikëve për punën që bënte.

“Menagjeri i degës ka qenë i obliguar që çdo herë që kam tërhequr të holla në kasafortë, të vijë të ma hap derën e blinduar dhe çelësin e kasafortës, të cilit qelës nuk ia kam ditur vend-ndodhjen”, deklaroi e akuzuara Shehu.

“Në prani të menaxherit është mbyllur kasaforta e pastaj jemi dalë dhe kemi  numëruar të hollat dhe kemi mbajtur procesverbalin për pranim dhe dorëzim të të hollave në kasafortë dhe e kemi nënshkruar unë dhe menaxheri apo zëvendësi i tij”, tha ajo.

Ajo tha se nuk e din se pse fillimisht kanë munguar 14 mijë euro në kasafortë.

“Kasaforta nuk ka qenë digjitale dhe shpesh herë e kam lënë në pikën zero sepse kam pasur besim në koleg”, tha Merita.

“Çelësin e derës së blinduar e ka pasur menaxheri Blerim Zornaxhiu ndërsa çelësin tjetër e ka pasur zëvendësi i tij Blerim Sokoli të cilin e ka mbajtur në çelësa të veturës, ndërsa çelësin  e arkës e ka mbajtur menaxheri dhe unë nuk kam qenë në dijeni se ku e ka mbajtur”, deklaroi e akuzuara Merita Shehu.

Ajo tregoi që nuk kishte avokat gjatë dhënies së deklaratës në Polici dhe se në fund të deklaratës ia kishin thirrur një avokat sa për nënshkrim të procesit, ndërsa në Prokurori nuk kishte pasur avokat.

“Kodin e kasafortës në degën në Rahovec nuk e ka ditur askush përveç meje, por unë shpesh herë nuk e kam prishur kodin dhe atëherë ka mundur të hapet nga gjithkush”, tha ajo.

Më pas trupi gjykues, caktoi datën 9 korrik.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/deshton-seanca-e-akuzuara-per-pervetesim-te-ratave-te-kredive-shkon-ne-pushime-ne-zvicer/

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika, aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazuar edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuarës Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetshme në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin Janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

Ndërkaq në seancën e parë Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

Ndërsa i autorizuari i FINCA-s, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikrofinanciar kërkojnë kompenzim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit mikro-financiar FINCA, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”, kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin mikrofinanciar FINCA, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marr shumën e të hollave prej 14,200.00 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9777,50.00 euro.