Pamje nga Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ish-Ambasadori Shqiptar Kritikon Thaçin e Haradinajn për Demarkacionin

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka kritikuar prijësit e institucioneve të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga Parlamenti i Kosovës.

Lauka ka thënë se me ratifikimin e Marrëveshjes, Qafa e Çakorrit, Belluha dhe Kulla nuk janë as nuk do të jenë më pjesë e Kosovës.

Lidhur me deklaratën e nënshkruar nga presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, Lauka thotë se ajo është sajuar për të shërbyer si gjethe fiku për mbulimin tjetërsimit antikushtetues të territorit shtetëror.

“Asnjë korrigjim kufiri nuk do te ndodhë, sepse ajo ishte, thjesht, një deklaratë politike, e lidhur me interesa te ulëta dhe meskine, pa asnjë efekt juridik ndërkombëtar”, ka theksuar Islam Lauka në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Ish-ambasadori kritikon “argumentet bazë” të mbështetësve të ratifikimit se “ai është në interes të Kosovës, sepse i hap rrugë liberalizimit të vizave”, se “kërkohet nga aleatët tanë strategjikë, kundër të cilëve nuk mund të dalim sepse na kanë mbështetur në çdo hap të rrugës tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Argumenti” i parë, logjikisht, nuk qëndron, thekson Lauka, sepse, sipas tij, nuk mund të jetë në favor të vendit një vendim që i shkëput atij pjesë të territorit të vet. “Liberalizimi i vizave, edhe sikur të ndodhte menjëherë pas ratifikimit, gjë që është shumë e dyshimtë, sado që është i mirëpritur, nuk i zgjidh problemet e rënda me te cilat ballafaqohet Kosova. Udhëtim i lirë nuk do të thotë edhe mundësi punësimi. Shqiptarët e Kosovës nuk po vuajnë për të parë kullën Eifel, por për punë”, shtoi ai.

Sa i takon argumentit të dytë, Lauka ka theksuar se është e vërtetë që në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë kemi pasur ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë.

“Por, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dinë edhe ndonjë të vërtetë tjetër, si për shembull, shpalljen, nga ana e SHBA-së të UÇK-së si organizatë terroriste, në fillim të vitit 1998. Po të ishte dëgjuar në ate moment aleati ynë, do të duhej të shkatërrohej UÇK dhe bashkë me të t’i vihej vizë edhe lirisë së Kosovës. Historia, tashmë dihet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u shkurajua por vazhdoi luftën, heroikisht, duke i treguar mbarë botës që shqiptarët janë gati të vdesin për lirinë e tyre. Nuk kaloi shumë kohë dhe Uashingtoni ndryshoi qëndrimin e tij ndaj UÇK-së, duke e konsideruar si aleaten e vet kundër regjimit shtypës të Millosheviçit”, theksoi ish-ambasadori.

Po ashtu, diplomati shqiptar kujton se në vitet e para pas luftës, aleatët strategjikë nuk e kishin kurrkund në agjendën e tyre pavarësimin e Kosovës.

“Vendosmëria jonë për të mos pranuar kurrëfarë kthimi prapa, asnjelloj bashkëjetese me Serbinë, natyrisht, me mbështjetjen e aleatëve tanë, bëri të mundur shpalljen e pavarsisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008”, vlerëson ai.

“Duket se etja e pashuar për pushtet të pakufizuar ua ka errësuar sytë dhe topitur mendjen ish- komandantëve të luftës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, duke ua tharë, që në rrënjë, çdo filiz idealizmi nga koha e luftës për liri. Për hir të pushtetit dhe të interesave klanore po shkelin mbi amanetin e shokëve të luftës dhe të të parëve që u sakrifikuan për mbrojtjen e këtyre trojeve që na i lanë trashëgim”, thekson Islam Lauka.

Tjetërsimi antikushtetues i territorit të Kosovës në favor të Malit të Zi, sipas tij, është hallka e fundit në zinxhirin e gjatë të transformimit të gjeneralëve, heronj të luftës, në ushtarë bashibozukë, që veç plaçkisin e shtypin popullin.

Për presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj, Lauka thotë se veç etjes për pushtet, ata kanë probleme serioze edhe me vendimmarrjen politike.

“Në gjykimin tim, potenciali krijues i Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, në dobi të Kosovës, ka shteruar dhe, aktualisht, ata janë kthyer në pengesë për zhvillimin e Kosovës. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e tyre, në të kundërt, populli e ka të drejtën e vet legjitime që, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe mjetet demokratike t’i detyrojë ata të largohen nga pushteti, për t’ua lënë vendin forcave të tjera politike, më të afta, më të përgjegjshme dhe më krijuese”, thekson ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.

Aktualisht, Islam Lauka drejton Institutin Shqiptar të Studimeve Politike.