Isa Mustafa: Zgjedhjet janë afër

Gjatë manifestimit të 29 vjetorit të themelimit të Forumit të Gruas së LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se qeveria duhet t’i ndërrojë sjelljet e saja në raport me Bashkimin Evropian.

“Ne qeverisë aktuale duhet të ja bëjmë me dije se Kosova duhet ta ndërrojë qëndrimin e saj, duhet t’i ndërrojë sjelljet e saja, sepse është në interes të vendit të kemi një bashkë punim më të mirë me partnerët tanë evropianë dhe veçmas me SHBA-të. Është në interes të vendit që ne të përmbushim agjendën evropiane, sepse pa përmbushë këtë agjendë ne nuk mund të anëtarësohemi në BE dhe nuk kemi rrugë tjetër. Nuk e kemi të lehtë ta mbajmë LDK-në, sepse interesat klanore, interesat materiale, kapja e shtetit ka bëre që të kemi më shumë kundërshtarë se që është dashur të kemi”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.

Ai ka thënë se zgjedhjet e reja në vend janë shumë afër dhe se LDK-ja synim do ta ketë që të qeverisë me vendin e jo të mbetet në opozitë.

“Nuk kisha dashtë që LDK-ja të jetë parti që synon opozitën, unë dëshiroj që LDK-ja të jetë parti që synon ta qeverisë këtë vend. Së bashku me Forumin e Gruas dhe Forumin Rinor, si LDK të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme kur të bëhen, unë mendoj se nuk do të zgjasë shumë se kur do të ndodhin dhe ajo që është me rëndësi është si Lidhje Demokratike është të fitojmë bindshëm”, tha Mustafa.