Isa Mustafa: Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësojë Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës i cili është duke u zhvilluar në veri.

Sipas tij ky aksion është veprim ligjor e legjitim i organeve të drejtësisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës.

“Krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu siç nuk duhet të njoh as ligji. Të gjithë ata, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj, zyrtarë e jo zyrtarë duhet të përgjigjen në mënyrë të barabartë para ligjit për veprimet e dëmshme që po ia shkaktojnë vendit”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa ka thënë që drejtësia duhet të jetë për të gjithë dhe jo e heshtur si në aferën e fajdeve.

“Drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve. Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale”, ka theksuar ai.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka nisur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës. Deri më tani numri i të arrestuarve ka arritur në 10.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës. KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë. Janë realizuar disa bastisje në disa lokacione ndërsa aksioni është duke vazhduar.

Katër zyrtar policor kanë pranuar sot tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, pas operacionit policor i cili po vazhdon të zhvillohet në disa pjesë të vendit.